Bashkëpunimi Kosovë–Suedi çon në konfiskimin e pasurive kriminale

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre suedeze ka mundësuar sekuestrimin e pronave të paluajtshme, parave të gatshme dhe një automjeti në Kosovë, në kuadër të një hetimi për trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje të parave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze ka rezultuar me arrestimin e personit me inicialet A.G. dhe konfiskimin e pasurive të dyshuara se janë fituar përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit, rasti tashmë ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe përbën rastin e parë kur autoritetet suedeze kanë arritur të konfiskojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për pasuritë e konfiskuara në Kosovë.

Ndërkaq, sipas komunikatës së autoriteteve suedeze, personi ishte arrestuar në rajonin e Goteborgut, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve në përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe shpëlarje të rëndë të parave.

Gjatë operacionit janë realizuar kontrolle dhe bastisje në të dyja shtetet. Në Kosovë janë sekuestruar prona të paluajtshme, para të gatshme dhe një automjet, ndërsa në Suedi janë siguruar sende me vlerë dhe materiale digjitale që do të shërbejnë për vazhdimin e hetimeve dhe analizimin e rrjedhave financiare.

Prokurori shtetëror suedez, Daniel Larson, nga Autoriteti Suedez për Krimet Ekonomike, ka vlerësuar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e tij në realizimin e sekuestrimeve.

“Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës është karakterizuar nga profesionalizmi i lartë dhe gatishmëria e plotë për bashkëpunim, gjë që ka qenë parakusht për sekuestrimin e pronave të paluajtshme, parave të gatshme dhe një automjeti në këtë rast”, ka deklaruar Larson.

Ai ka theksuar gjithashtu se autoritetet suedeze po përdorin legjislacionin e ri për të mundësuar konfiskimin e pasurive që ndodhen edhe jashtë territorit të Suedisë.

Edhe nga Policia suedeze është theksuar se qëllimi i operacionit ka qenë goditja e krimit të organizuar dhe konfiskimi i përfitimeve të realizuara përmes veprimtarive kriminale, pavarësisht se ku ndodhen ato.

“Krimi nuk duhet të shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nëse dikush përpiqet t’i fshehë përfitimet nga aktivitetet kriminale jashtë vendit. Ne do t’i gjejmë ato dhe synimi ynë është konfiskimi i tyre”, ka deklaruar Tomas Stakeberg Jansson, shef në Policinë e rajonit perëndimor të Suedisë.

Hetimet udhëhiqen nga prokurorët shtetërorë Daniel Larson, nga Autoriteti Suedez për Krimet Ekonomike, dhe Håkan Larsson, nga Njësia Kombëtare për Luftimin e Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar (RIO), pranë Prokurorisë Suedeze.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka vlerësuar se ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga veprat penale, pavarësisht vendit ku ato janë vendosur. /RTKlive

Read Previous

Real Madridi fiton garën për talentin 16-vjeçar të Manchester Unitedit

Read Next

​Hapet ekspozita “Kosova e Kadaresë” në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit