Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të shtunën do të organizojë protestë gjithëkombëtare, për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastet e vrasjes së grave në Kosovë.
Në njoftim, Kolektivi ka thënë se vrasja e Arlindës ka ekspozuar dështimet e zinxhirit institucional, duke theksuar se institucionet, në vend që t’i mbrojnë gratë që kërkojnë ndihmë, i kanë anashkaluar ato dhe nuk kanë parandaluar tragjedi të tilla.
Përmes protestës, organizatorët kërkojnë që shteti ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare dhe të ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar vrasjet e grave.
Ndër kërkesat kryesore të tyre janë shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i zyrtarëve që i konsiderojnë përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt, përfshirë kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren Suada Rama Hamza, kryetarin e Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, si dhe togerin Faruk Muqolli.
Po ashtu, kërkojnë shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingun apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Kolektivi ka theksuar se angazhimi i tyre nuk do të ndalet vetëm te kërkimi i drejtësisë për Arlindën, por do të vazhdojë për sigurinë e të gjitha vajzave dhe grave në Kosovë.
Protesta është thirrur për të shtunën, në orën 12:00. /IndeksOnline/