​A do të ketë rrymë mjaftueshëm për dimër? Flet ministrja Rizvanolli

Deputetja e Aleancës Albana Bytyqi ka ngritur shqetësimin nëse do të ketë rrymë mjaftueshëm gjatë dimrit kur konsumi shënon rritje të ndjeshme, ndërsa ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se janë duke koordinuar përgatitjet duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ato lokale.

Bytyqi, në pyetjen drejtuar ministres Rizvanolli në seancën e sotme të Kuvendit, ka kërkuar të dijë se sa është e përgatitur Kosova për përballimin e sezonit të dimrit dhe nëse janë siguruar sasitë e nevojshme të energjisë elektrike përmes kapaciteteve vendore dhe importit.

“Si qëndron aktualisht Kosova sa i përket sigurisë së furnizimit me energji elektrike për sezonin e dimrit? A ka siguruar Qeveria, përmes kapaciteteve vendore dhe importit, sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike dhe, nëse po, nga kush janë siguruar këto sasi?”, ka pyetur Bytyqi.

Në përgjigjen e saj, ministrja Rizvanolli ka thënë se përgjegjësia për sigurimin dhe kontraktimin e energjisë elektrike për konsumatorët u takon furnizuesve të licencuar.

Ajo ka shtuar se Ministria e Ekonomisë është duke koordinuar përgatitjet ndërinstitucionale për sezonin e dimrit, duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ato lokale.

“Sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar. Për konsumatorët e shërbimit universal, të cilët përbëjnë pjesën dërmuese të familjeve dhe bizneseve të Kosovës, këtë përgjegjësi e ka KESCO… Ministria po koordinon përgatitjet ndërinstitucionale për dimër, duke marrë parasysh si zhvillimet ndërkombëtare, ashtu edhe ato lokale… Në nivel botëror rritja e kërkesës për energji elektrike dhe pasojat e luftës në Iran kanë shtuar presionin mbi sistemet energjetike dhe kostot e furnizimit. Këto rritje janë edhe më të theksuara në tregjet e energjisë. Në shtator të vitit 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025, çmimi mesatar i energjisë elektrike në tregun e ditës përpara ishte rreth 75% më i lartë në bursën hungareze HUPX, ndërsa në ALPEX, për zonën e Kosovës, ishte rreth 50% më i lartë”, ka deklaruar Rizvanolli. /KosovaPress/

Read Previous

​Kusari-Lila: Nëse që nga nesër nuk ka rënie të çmimit të naftës, e rikthejmë çmimin tavan

Read Next

Ku ngeci Kosova? Tri kritikat kryesore në raportin e BE-së