Grabitje dhe një rast i hetimit të vdekjes në 24 orët e fundit në Gjakovë
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall do të përballet të premten mbrëma me një kundërshtar të fortë, Italinë, dy herë kampione të Evropës.
Ndeshja do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, në kuadër të Grupit 10 të raundit kryesor të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028.
Kosova vjen në këtë përballje pas fitores së madhe 3:2 ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi muajin e kaluar. Të dyja përfaqësueset, Kosova dhe Italia, kanë nga tri pikë pas ndeshjes së parë të zhvilluar.
Përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani, pret një përballje të vështirë, por është shprehur optimist për paraqitjen e ekipit të tij.
“Ne si staf e kemi bërë punën tonë, së bashku me lojtarët e kemi analizuar ndeshjen e Italisë që e luajti ndaj Gjeorgjisë. Mendoj se jemi të gatshëm si në aspektin psikologjik, ashtu edhe fizikisht jemi mirë. Mendoj se nuk na mungon asgjë të bëjmë një paraqitje të mirë ndaj tyre”, ka deklaruar Ramadani për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Italia është një prej përfaqësueseve me histori të madhe në futsall. Ajo ka fituar Kampionatin Evropian në vitet 2003 dhe 2014, ndërsa në vitin 2004 ishte nënkampione e botës. Në Botërorët e viteve 2008 dhe 2012, italianët fituan medaljen e bronztë.
Edhe lojtarët e Kosovës janë shprehur optimistë për këtë përballje, duke shpresuar në përkrahje të madhe nga tifozët në tribuna.
Ndeshja kthyese mes Kosovës dhe Italisë do të zhvillohet më 10 nëntor, ndërsa përfaqësuesja jonë do ta mbyllë këtë fazë të kualifikimeve më 24 shkurt, kur do të presë Gjeorgjinë.
Në raundin tjetër, “Elite Round”, avancojnë fituesit e 12 grupeve dhe katër përfaqësueset më të mira që përfundojnë në vendin e dytë. Për tetë vendet e tjera të dyta, mundësia e kualifikimit mbetet përmes plejofit.