Aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në hyrje të fshatit Pouskë të Prizrenit, ka rezultuar fatal për 19-vjeçaren Dilge Nanovçe, e cila ishte në timon.
Sipas burimeve të Sinjalit, Nanovçe po ngiste veturën Opel Astra me targa vendore, pa patentë shoferi dhe pa përvojë në vozitje. Ajo po udhëtonte në rrugën Pouskë-Opojë, kur në një kthesë të mprehtë prej 180°, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, humbi kontrollin mbi automjetin.
Vetura doli nga rruga në anën e djathtë dhe u rrokullis nga një lartësi prej rreth 9 metrash, duke përfunduar në një pjesë të thepisur të terrenit. Ajo u shkatërrua totalisht nga përplasja, ndërsa tre personat brenda saj u bllokuan në automjetin e rrokullisur.
Në vendin e ngjarjes intervenuan ekipet e zjarrfikësve për nxjerrjen e të lënduarve. Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e vozitëses në vend, ndërsa dy pasagjerët që ishin me të,Fati Gashi, 27 vjeçar dhe Erdall Tumba, 25 vjeçar, u dërguan fillimisht në Spitalin e Prizrenit. Gashi ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa Tumba, pas trajtimit fillestar, u transferua në QKUK për kujdes të avancuar.
Prokurorja kujdestare ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.