BQK: Faza e trancizionit për dinarin mund të zgjasë deri në tre muaj

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar të hënën se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.

BQK-ja tha se njofton opinionin publik lidhur me planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.

Serbët e Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut të hënën kundër kësaj rregulloreje.

Plani i ri Bankës Qendrore kosovare vjen pas kritikave të shumta nga bashkësia ndërkombëtare ndaj autoriteteve kosovare pse nuk e kishin shtyrë afatin për zbatim të rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, derisa Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.

BQK-ja njoftoi se ka marrë një sërë masash lehtësuese për serbët e Kosovës në katër komunat veriore, përfshirë duke hapur një linjë telefonike falas (0800-222-55), një e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’.

Ndër masat lehtësuese që ajo ka ndërmarrë janë lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, “për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”.

Ajo tha se do të ofrohen shërbime bankare, si hapja e llogarive, në mënyrë mobile nga bankat komerciale në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve, si dhe do të vendosen disa bankomatë (ATM) dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike, apo vet-shërbime financiare.

Gjithashtu, tha ajo, do lehtësohet këmbimi i dinarëve në euro nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Revista franceze “Voyages et Tourisme”: Shqipëria ndër destinacionet më të mira në Evropë

Read Next

Izraeli: Më shumë se 12,000 njerëz të armatosur të Hamasit u vranë në luftë