Ish-politikani dhe ish-këshilltari presidencial ukrainas vritet në Madrid

Ish-politikani ukrainas, Andriy Portnov, është qëlluar për vdekje pranë një shkolle në një lagje të pasur të Madridit, shkruan “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.

Policia mori një telefonatë rreth orës 09:15 të mëngjesit për një shtetas ukrainas të qëlluar përpara Shkollës Amerikane të Madridit, e cila ndodhet në Pozuelo de Alarcón, thanë autoritetet për Reuters, pa e identifikuar fillimisht viktimën.

Portnov ishte një këshilltar i lartë i ish-Presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2014.

Nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, kanë ndodhur disa krime që përfshijnë rusë dhe ukrainas me profil të lartë në Spanjë, vend që ka komunitete të mëdha emigrantësh nga të dyja vendet.

Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, u dërguan gjashtë bomba postare në objektiva të rëndësishëm nëpër Spanjë, përfshirë kryeministrin Pedro Sánchez, Ambasadën e Ukrainës në Madrid, zyra qeveritare, një kompani satelitore të Bashkimit Evropian dhe Ambasadën e SHBA. Një 76-vjeçar, ish-punonjës civil spanjoll, i cili në rrjetet sociale shfaqte simpati për Rusinë, u burgos për këto vepra.

Në prill të vitit 2022, një biznesmen rus i lidhur me kompaninë ruse të gazit Novatek u gjet i vdekur në atë që duket si vetëvrasje, së bashku me gruan dhe vajzën e tij që kishin plagë me thikë.

Në shkurt të vitit 2024, një pilot rus që kishte dezertuar drejt Ukrainës me helikopterin e tij, u gjet i vrarë me disa plumba në garazhin e apartamentit të tij afër Alicante-s./Reporteri.net

Read Previous

Trump zbulon planet dhe detajet rreth sistemit të mbrojtës ‘Kupola e Artë’

Read Next

Busti i vjedhur i Jim Morrison gjendet rastësisht pas 37 vjetësh