Gjykata: Hasan Krasniqi ishte emëruar jashtëligjshëm në krye të KRU “Gjakova”

Gjykata Themelore në Gjakovë më datë 26 janar 2024 e kishte shpallur të jashtëligjshme zgjedhjen e Hasan Krasniqit si kryeshef ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

“Anulohet vendimi me numër 64 i datës 13.01.2022 i Bordit të Përkohshëm i Drejtorëve K.R.U “Gjakova” SH.A., mbi zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv në K.R.U “Gjakova” SH.A”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Padinë në Gjykatë në lidhje me zgjedhjen e Krasniqit e kishte bërë personi me inicialet M.P.

Gjykata ka vlerësuar se në zgjedhjen e Krasniqit janë shkelur aktet nënligjore.

“Vlen të ceket se nuk është e kontestueshme që emërimin në e pozitën e Kryeshefit ekzekutiv në NP-ke e bënë Bordi i Drejtorëve, mirëpo ajo çka gjykata vë në dukje është se emërimi në një pozitë përkatëse nga personat që ligji i’u ka dhënë kompetencë, bëhet pas zhvillimit dhe përfundimit të një procedurë konkurruese e cila parashihet me dispozitat përkatëse, në këtë rast siç ka qenë e paraparë me dispozitat ligjore të UA Nr.07/2017 të cilat e kanë rregulluar procedurën e konkursit në sektorin publik e cila rregullativë ligjore zbatohet edhe për pozitën në të cilën paditësi ka aplikuar. Duke qenë se e paditura me rastin e përzgjedhjes së kandidatit të suksesshëm për pozitën e KE-iv nuk i ka ndjekur procedurat e paraparë me këtë akt nënligjor, rezulton se e njëjta ka bërë shkelje të këtyre dispozitave të UA Nr.07/2017 që e rregullojnë procedurën e konkursit në sektorin publik, për çka edhe e bën të kundërligjshëm procedurën e përzgjedhjes së kandidatit të suksesshëm për pozitën e Kryeshefit ekzekutiv”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës në Gjakovë ishte marrë disa javë para se, Hasan Krasniqi, të arrestohej nga policia bullgare me kërkesë të INTERPOLIT. Krasniqi është vënë në kërkim nga Policia e Italisë nën dyshimet për trafikim me njerëz.  Autoritetet bullgare i kanë njoftuar zyrtarisht autoritetet kosovare për arrestimin e Krasniqit.

Read Previous

Dr.Kurtishi: Kemi rritje të rasteve me kancer

Read Next

Qeveria dhe Komuna investojnë në stacionin e autobusëve në Gjakovë