Banka Qendrore e Republikës së Kosovës forcon partneritetet botërore në Washington D.C

Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, ka zhvilluar dy takime të rëndësishme me nënpresidentët e Bankës Botërore (BB) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), duke fuqizuar më tej partneritete që janë të rëndësishme për stabilitetin e sektorit financiar të vendit tonë.

Këto takime kanë theksuar hapat kyç drejt avancimit të qëllimeve ekonomike dhe financiare të Republikës së Kosovës, transmeton klankosova.tv.

Në takimin me Antonella Bassani, zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore (ECA) në BB, guvernatori Ismaili u angazhua në diskutime thelbësore lidhur me projektet që janë duke u zbatuar dhe mbështeten nga Banka Botërore, të cilat synojnë modernizimin e sistemit të pagesave të Kosovës, si dhe Programin e Remitencave dhe Pagesave.

Këto iniciativa kanë një rëndësi të madhe në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës financiare në vend.

Sipas kumtesës, përfaqësuesit e BQK-së shprehën mirënjohjen e sinqertë për kontributin e Bankës Botërore në këto përpjekje, duke njohur rolin e tyre kryesor në forcimin e gatishmërisë së Kosovës për integrim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si pjesë e Planit Strategjik të BQK-së.

Në takimin me Z. Alfonso Mora, Zëvendëspresident Rajonal i IFC-së, Guvernatori Ismaili gjithashtu u angazhua në një sesion produktiv, duke theksuar zhvillimet e rëndësishme në BQK dhe bashkëpunimin e frytshëm me IFC-në. Diskutimet e rëndësishme kishin të bëjnë me projektet që janë duke u zbatuar për kornizën rregullatore në lidhje me institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo-bankare.

Për më tepër, delegacioni i BQK-së theksoi projektin e ri në shërbimet financiare digjitale, duke nënvizuar përkushtimin e përbashkët për të nxitur përfshirjen financiare dhe qasjen në financa, që kontribuojnë kështu në plotësimin ekosistemin e reformave të sektorit financiar.

Në fund, Guvernatori Ismaili përsëriti përkushtimin e BQK-së për sigurimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndërsa ri-konfirmoi përkushtimin e institucionit që drejton për partneritet strategjik me Grupin e Bankës Botërore./Klankosova.tv

Read Previous

Kosova hap pavijonin e saj në Bienalen e Venecias

Read Next

15 vite e 6 muaj burgim për mësimdhënësin e akuzuar për sulm seksual