Policia e Kosovës është deklaruar për rastin e rëndë ku një foshnje u gjetë pa shenja jete sot në afërsi të një deponie mbeturinash në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një përgjigje për Telegrafin policia ka marrë informatën sot rreth orës 11:00.
“Policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën ‘Qëndresa’, në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete”, ka thënë Borovci.
Tutje ai tha se trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen.
“Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”, ka thënë Borovci.
Edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se hetimet janë në proces dhe se po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet hetimore të nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se sot është gjendur një foshnje pa shenja jete, si dhe Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pa jetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me çështjen në fjalë”. /Telegrafi/