PDK mbështet protestat për çlirimtarët: Zëri i qytetarëve të respektohet!

Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur protestat e nesërme në të gjitha komunat e Kosovës, të thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat do të mbahen në qytete të ndryshme të vendit, pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

PDK e ka konsideruar të domosdoshëm respektimin e zërit të qytetarëve, të cilët përmes këtyre protestave po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi, transmeton Klankosova.tv.

Njëkohësisht, kjo parti ka vlerësuar lart të gjitha protestat që sipas tyre, tash e dhjetë ditë po zhvillohen në Kosovë, si dhe protestat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, në vende të ndryshme të Evropës dhe kudo tjetër në botë, ku qytetarët po shprehin mospajtimin e tyre ndaj këtij vendimi.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës, për dhjetë ditë me radhë, përcjell një mesazh të qartë nga protestuesit se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës. Krahas këtyre protestave të organizuara deri tani, PDK i fton qytetarët që të marrin pjesë masivisht edhe në protestën e thirrur nga platforma “Liria ka emër”, më 1 tetor, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Ky subjekt politik ndër të tjera thekson se reagimi qytetar në Kosovë dhe në diasporë është një zhvillim publik që institucionet e vendit duhet ta trajtojnë me seriozitet. Kundërshtimi ndaj vendimit të Hagës po shprehet çdo ditë në sheshe, në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Në të njëjtën kohë, përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qytetarët që protestojnë.

“Institucionet e Kosovës dhe spektri politik duhet t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe fazat e mëtejshme të tij. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e konsideruar prioritet votimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv/

Read Previous

Në Francë protestohet në mbrojtje të çlirimtarëve

Read Next

Demaku: Nuk pres vullnet nga Kurti dhe VV-ja për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale