Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 7.1 për qind në muajin tetor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, krahasuar me muajin shtator 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) nuk ka shënuar ndryshim, duke mbetur në 0.0 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit për 21.5 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 9.7 për qind.
Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani me 5 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4.5 për qind, si dhe kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3.7 për qind.
Ndërkohë, ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 3.2 për qind, mobiliet dhe pajisjet shtëpiake për 2.9 për qind, shëndetësia për 2.9 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët për 2.3 për qind.
Rënie e çmimeve është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.3 për qind.
ASK-ja ka bërë të ditur se për publikimin e të dhënave të tetorit është zbatuar klasifikimi i ri COICOP 2018, me vit bazë 2025. /RTKlive