Arsenali raportohet se është shumë pranë sigurimit të vazhdimësisë së kontratave me tre futbollistë të rëndësishëm të skuadrës, pas arritjes së marrëveshjes për të ardhmen afatgjatë të trajnerit Mikel Arteta.
Klubi londinez synon t’i mbajë në skuadër lojtarët kryesorë, ndërsa Declan Rice pritet të jetë i pari që do ta nënshkruajë kontratën e re.
Mesfushori anglez, 27-vjeçar, është shndërruar në një prej figurave kryesore të Arsenalit që prej transferimit nga West Hami në korrik të vitit 2023, për shumën prej 105 milionë funtesh. Që atëherë, ai ka regjistruar mbi 160 paraqitje me fanellën e “Topçinjve”.
Kontrata aktuale e Rice përfundon në qershor të vitit 2028, por sipas raportimeve, palët po diskutojnë një zgjatje edhe për dy vjet të tjera. Marrëveshja e re pritet të përfshijë edhe një rritje të konsiderueshme të pagës së tij, e cila aktualisht raportohet të jetë rreth 240 mijë funte në javë.
Pas sigurimit të Rice, Arsenali synon të përmbyllë edhe negociatat me kapitenin Martin Odegaard dhe mbrojtësin Jurrien Timber.
Edhe kontratat e tyre aktuale përfundojnë në vitin 2028, por forma e mirë e Odegaardit në fillim të këtij sezoni dhe rëndësia e Timberit në krahun e djathtë të mbrojtjes kanë bërë që drejtuesit e klubit të synojnë rinovimin me të dy futbollistët.
Në këtë mënyrë, Arsenali po punon për të siguruar vazhdimësinë e projektit të tij sportiv, duke mbajtur në skuadër disa prej lojtarëve më të rëndësishëm për planet e Artetës. /RTKLive