Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në mënyrë që pension të përfitojnë edhe qytetarët që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para vitit 1999, por nuk i kanë plotësuar 15 vjet stazh pune.
Haxhiu, në konferencën për media të martën, ka thënë se ka shumë qytetarë që kanë vite të tëra përvojë pune, por nuk përfitojnë pension kontributpagues, sepse nuk e plotësojnë periudhën e kërkuar me ligj.
Sipas saj, disa prej tyre kanë punuar për dekada, ndërsa për t’u kualifikuar për pension u mungojnë vetëm disa vite, muaj apo edhe ditë.
“Ky propozim ka vetëm një qëllim, të fitojnë pension kontributpaguesit dhe qytetarët që kanë paguar kontribute, por nuk kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të hyrë në skemat pensionale. Pra, bëhet fjalë për njerëzit që kanë punuar dhe paguar kontribute para janarit 1999. Për këta njerëz që kanë vite pune të dëshmuara, por sot nuk kualifikohen për pensionin kontributpagues për shkak se nuk arrijnë periudhën e caktuar. Dikujt i mungojnë disa vite, dikujt disa muaj dhe ka disa që u mungojnë disa ditë. Shumë kërkesa dhe informata kam që ka njerëz që kanë 44 vite përvojë pune. Ka njerëz që kanë filluar punën në vitin 1982 dhe sot, pas daljes në pension, është kjo kategori që nuk përfiton”, tha ajo.
Ajo ka propozuar që këta persona të kenë të drejtë të marrin pension në përpjesëtim me kontributet që kanë paguar gjatë viteve të punës.
Deputetja ka bërë të ditur se kjo është nisma e tretë që e propozon për këtë çështje që nga viti 2015.
“Duhet të gjendet një zgjidhje si shoqëri, si deputetë dhe si Kuvend. Nëse një person nuk e plotëson periudhën për pension sipas kushteve aktuale, ai duhet të ketë mundësi të marrë një pension në përpjesëtim me kontributet që ka paguar. Pikërisht këtë e synon kjo nismë legjislative, që është nisma e tretë që unë kam propozuar prej vitit 2015. Shto këtu edhe nismën e katërt që e kam përcjellë përmes ish-kolegut. Janë katër nisma ligjore nga grupi ynë parlamentar”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu ka shpjeguar edhe mënyrën se si do të llogaritej pensioni proporcional për qytetarët që nuk i kanë 15 vjet kontribute.
“Nëse pensioni i plotë i kontributpaguesit të kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15 dhe rezultati është 20 euro në muaj për çdo vit kontribute. Nëse një qytetar ka 14 vite kontribute, do të përfitojë 280 euro në muaj. Një qytetar me 14 vite e 6 muaj kontribute do të përfitojë 290 euro në muaj. Llogaritet çdo muaj, çdo ditë që qytetarët kanë kontribute”, përfundoi ajo. /KosovaPress/