Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Pafajshëm – Viktima të Agresionit, është një nga ditët ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që shënohet çdo vit më 4 qershor.
Kjo ditë u krijua më 19 gusht 1982 dhe përkon me luftën në Liban, raporton KosovaPress.
Kjo ditë ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar për vuajtjet e fëmijëve që janë bërë viktima të abuzimit fizik, mendor dhe emocional, theksimin e rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në të gjitha situatat, veçanërisht gjatë konflikteve të armatosura.
Megjithëse dita u krijua në kontekstin e konfliktit të Lindjes së Mesme, rëndësia e saj është universale. Ajo shërben si një kujtesë se fëmijët në mbarë botën në Siri, Ukrainë, Sudan, Jemen dhe rajone të tjera vazhdojnë të vuajnë nga luftërat, terrorizmi dhe forma të tjera të dhunës.
Ngjarjet kushtuar kësaj dite përfshijnë programe edukative dhe aktivitete shkollore që synojnë ndërgjegjësimin për të drejtat e fëmijëve, diskutime, tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca të organizuara nga organizata të të drejtave të njeriut, si dhe publikime dhe fushata në media.
Sipas të dhënave të OKB-së, 11.649 fëmijë u vranë ose u plagosën, 8.655 fëmijë u përdorën dhe 4.356 u rrëmbyen me shifrat më të larta të verifikuara në Kongo, Somali dhe Nigeri. Pothuajse 30% e viktimave ishin vajza.
Përfundimi dhe parandalimi i shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve është thelbësor për mandatin për fëmijët dhe konfliktet e armatosura. Mënyra më efektive për të mbrojtur fëmijët nga armiqësitë është eliminimi i faktorëve shtytës dhe tërheqës që çojnë në përfshirjen e tyre në konfliktin e armatosur./KosovaPress