Vdes akademiku Minir Dushi

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar për vdekjen e akademikut Minir Dushi, duke thënë se ishte inxhinieri i parë shqiptar dhe një figurë e shquar në fushën e mineraleve.

Komuna ka shkruar të hënën të Facebook se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.

Komuna do të mbajë homazhe të martën në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës. /GazetaSinjali/

Varrimi i të ndjerit bëhet ditën e mërkurë me datë 29.01.2025 në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Read Previous

Faruk Xharra, njëri ndër berberët më të vjetër në Gjakovë

Read Next

Mot me diell, temperaturat deri në 16 gradë