Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje Republikës Islamike të Iranit që të arrijë marrëveshje mbi programin e saj bërthamor me SHBA-në, tek ka shtuar se ka ende kohë për vendin që të shmangë konfliktin me Izraelin.
“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër, me sulmet e ardhshme tashmë të planifikuara që do të jenë edhe më brutale, të marrë fund”, ka shkruar presidenti amerikan në rrjetin social “TruthSocial”.
“Irani duhet të arrijë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Mjaft me vdekje, mjaft me shkatërrim, THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË SHUMË VONË. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, ka shtuar ai.
Ushtria e Izraelit kreu disa sulme në drejtim të Iranit të premten, duke shënjestruar bazat nukleare, fabrikat e prodhimit të raketave balistike dhe udhëheqësit ushtarakë gjatë operacionit që ka për qëllim të mos e lejojë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte thënë të premten se sulmet e Izraelit në Iran ishin të njëanshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira.