Rritet ndjeshëm çmimi i arit

Çmimet e arit u rritën ndjeshëm ndërsa investitorët ishin të shqetësuar për sulmet izraelite ndaj Iranit, të cilat shkaktuan një valë kërkese për asete të sigurta.

Në tregun fizik, një ons ari vlente 3,423.46 dollarë gjatë mëngjesit, 1.2 për qind më shumë se mbyllja e djeshme. Është rritur më shumë se 3.5 për qind që nga fillimi i javës.

Në tregun amerikan, kontratat e ardhshme të arit tregtoheshin me një çmim 1.2 për qind më të lartë, në 3,444.10 dollarë.

“Sulmet aktualisht po mbështesin një valë blerjesh në tregun e arit… por është shumë herët për të vlerësuar nëse tronditja do t’i shtyjë çmimet më lart gjatë një periudhe më të gjatë kohore sepse situata po ndryshon me shpejtësi”, tha analisti i Julius Baer, Carsten Menke.

“Reagimi (çmimi) i arit mund të shtrihet gjatë një periudhe më të gjatë kohore në rast të ndërprerjeve në furnizimet me naftë, qoftë për shkak të sulmeve të drejtpërdrejta apo masave të tërthorta politike. Një nxitje afatgjatë e çmimeve të naftës do të ishte gjithashtu përhapja e konfliktit në vendet e tjera në rajonin e Lindjes së Mesme,” shtoi Menke.

Investitorët zakonisht blejnë ar gjatë periudhave të tensionit gjeopolitik dhe ekonomik, por edhe normave të ulëta të interesit. Çmimi i një ons argjendi ishte i qëndrueshëm në tregun fizik në 36.36 dollarë. Paladiumi u rrit 0.5 për qind në 1,061.06 dollarë. Platini u tregtua me 1.5 për qind më të ulët, në 1,274.30 dollarë. /KosovaPress/

Read Previous

Rekord kalimi në pikën kufitare në Vërmicë gjatë vikendit të kaluar

Read Next

Të dënuarit nga Gjykata Speciale do t’i vuajnë dënimet në Belgjikë