Shqipëria hyn në orbitën teknologjike të SHBA-së

Hyrja e Shqipërisë në një partneritet të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për inteligjencën artificiale mund të duket në pamje të parë si një tjetër marrëveshje bashkëpunimi në teknologji.

Por pas saj qëndron një projekt amerikan shumë më ambicioz: ndërtimi i një rrjeti vendesh të besueshme që mund të mbulojë gjithçka, nga mineralet dhe energjia te gjysmëpërçuesit, qendrat e të dhënave dhe vetë inteligjenca artificiale.

Shqipëria është mes 19 vendeve të reja që iu bashkuan AI Opportunity Partnership, duke e çuar në 54 numrin e shteteve që mbështesin deklaratën e përbashkët. Serbia dhe Sllovenia janë gjithashtu mes vendeve të rajonit që kanë ndërmarrë të njëjtin hap.

Por për të kuptuar rëndësinë e kësaj lëvizjeje duhet parë përtej AI-së.

Partneriteti është i lidhur me Pax Silica, iniciativën që Departamenti amerikan i Shtetit e nisi në dhjetor të vitit 2025 për të forcuar sigurinë ekonomike dhe teknologjike mes SHBA-ve dhe partnerëve të saj.

Objektivi është krijimi i zinxhirëve më të sigurt të furnizimit që shtrihen nga mineralet kritike dhe energjia te prodhimi i avancuar, gjysmëpërçuesit dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale.

Këtu qëndron edhe dallimi i rëndësishëm. Nënshkrimi i deklaratës për AI nuk e bën automatikisht Shqipërinë anëtare të Pax Silica. Sllovenia, e cila nënshkroi të njëjtën deklaratë në shtator, e përshkroi atë si një hap fillestar drejt një anëtarësimi të mundshëm në Pax Silica.

Nga mineralet te modelet e AI-së

Emri “Silica” nuk është rastësor. Silici është materiali mbi të cilin mbështetet industria e gjysmëpërçuesve dhe, në një kuptim më të gjerë, Pax Silica synon të lidhë hallkat fizike dhe digjitale mbi të cilat ndërtohet ekonomia e inteligjencës artificiale.

Në fund të qershorit, Pax Silica kishte 24 nënshkrues, mes tyre SHBA-të, Britania, Japonia, Koreja e Jugut, India, Australia, Gjermania dhe Bashkimi Evropian. Në të njëjtën kohë, 35 vende kishin nënshkruar deklaratën më të gjerë për AI Opportunity Partnership.

Kjo e bën nismën më shumë sesa një forum për të diskutuar rregullimin e inteligjencës artificiale. Deklarata promovon një mjedis rregullator që favorizon inovacionin dhe investimet, por gjithashtu vendos theksin te zinxhirët e furnizimit, gjysmëpërçuesit, infrastruktura kompjuterike, qendrat e të dhënave dhe roli i sektorit privat.

Washingtoni ka nisur ta shoqërojë këtë arkitekturë edhe me kapital.

Në mars, Departamenti i Shtetit njoftoi synimin për të vendosur 250 milionë dollarë në një fond të ri Pax Silica për nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve kritike, infrastrukturën dhe kapacitetet prodhuese që mbështesin zinxhirët e sigurt të gjysmëpërçuesve. Synimi është që fondet publike të përdoren për të mobilizuar edhe investime private dhe nga vendet partnere.

Po Shqipëria, çfarë fiton?

Për Tiranën, nënshkrimi nuk garanton investime amerikane dhe as ndërtimin e qendrave të të dhënave apo kapaciteteve të reja teknologjike. Deklarata krijon para së gjithash një kornizë bashkëpunimi.

Megjithatë, rëndësia e saj qëndron te pozicionimi.

Shqipëria po hyn në rrethin më të gjerë të vendeve me të cilat Washingtoni kërkon të ndërtojë një ekosistem teknologjik të bazuar te furnizues të besueshëm, investimet private dhe zinxhirët më të sigurt të furnizimit.

Për një ekonomi të vogël, pyetja tashmë është nëse ky pozicionim politik mund të shndërrohet në avantazh ekonomik.

Energjia, infrastruktura digjitale, kapacitetet për qendra të dhënash, burimet minerare dhe fuqia punëtore teknologjike janë fusha ku vendet pjesëmarrëse mund të kërkojnë një rol në këtë zinxhir.

Por për Shqipërinë mbetet ende për t’u parë se në cilën prej këtyre hallkave Washingtoni dhe investitorët amerikanë shohin potencial konkret.

Pikërisht këtu ndahet simbolika diplomatike nga ekonomia reale.

Për momentin, Shqipëria ka marrë një vend në rrethin e jashtëm të një arkitekture teknologjike që SHBA po e zgjeron me shpejtësi.

Hapi tjetër do të tregojë nëse kjo do të mbetet një deklaratë politike për bashkëpunimin në AI, apo do të hapë rrugën drejt projekteve, kapitalit dhe një integrimi më të thellë në zinxhirët teknologjikë që Washingtoni po përpiqet të ndërtojë. /Albanianpost.com

Read Previous

Tyson Fury mesazh Joshuas: Ke 10 vjet që më largohesh, por tani të ‘zura mat’ dhe do të hedh KO

Read Next

Franca e dekoroi. SPAK e vuri nën hetim: Çfarë ‘fshihet’ pas medaljes së Vlora Hysenit