Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament i veçantë.
Sipas OVL UÇK-së, ky amendament duhet të përcaktojë qartë ndalimin e rihapjes së çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore, të cilat janë shqyrtuar dhe gjykuar përfundimisht nga TPNJ-ja, UNMIK-u, EULEX-i apo gjykatat e tjera kompetente.
Organizata vlerëson se një garanci e tillë ligjore është e domosdoshme për sigurinë juridike dhe respektimin e parimit “ne bis in idem”, sipas të cilit askush nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte për të cilat ekziston vendim përfundimtar.
“Kjo çështje është e rëndësisë së veçantë, pasi që ish-udhëheqësit e UÇK-së janë gjetur fajtorë në shkallën e parë për raste të gjykuara më herët në procese gjyqësore të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në kërkesën e OVL UÇK-së.
Sipas organizatës, ndryshimi i cilësimit juridik apo formulimit të një akuze nuk duhet të përdoret si bazë për “riciklimin” e të njëjtave fakte dhe rrethana thelbësore.
OVL UÇK i ka bërë thirrje Kuvendit dhe deputetëve që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të projektligjit.
Organizata kërkon që amendamenti përkatës të përfshihet me urgjencë në plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara. /KosovaPress/