“Ka ardhur koha që Turqia ta lejojë Suedinë të bëhet anëtare e aleancës ushtarake”.
Kështu mësohet t’i ketë thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, të premten e 1 dhjetorit.
Turqia dhe Hungaria janë vendet e vetme të NATO-s që nuk e kanë aprovuar ende formalisht anëtarësimin e Suedisë në aleancë.
Stoltenberg tha për Associated Press se i bëri thirrje Turqisë ta finalizojë procesin gjatë një takimi me presidentin Erdogan të premten në margjinat e samitit të klimës në Dubai.
“E takova presidentin Erdogan mëngjesin e sotëm dhe ia përsërita mesazhin se ka ardhur koha për ta finalizuar procesin e pranimit për Suedinë”, tha Stoltenberg.
Turqia e ka vonuar ratifikimin për më shumë se një vit, duke e akuzuar Suedinë se nuk po i merr seriozisht shqetësimet e Turqisë, përfshirë luftën e saj kundër militantëve kurdë dhe grupeve të tjera të cilat Ankaraja i vlerëson si kërcënim për sigurinë e vet.
Gjërat ndryshuan gjatë një samiti të NATO-s në korrik, ku Erdogani pati njoftuar se do t’i dorëzonte në Parlamentin turk dokumentet e pranimit të Suedisë, por një debat rreth kësaj çështje në Komisionin e Punëve të Jashtme përfundoi pa ndonjë vendim muajin e kaluar.
/albanianpost/