Shfaqen grafite nacionaliste në Zveçan

Të martën në Komunën e Zveçanit janë shfaqur disa grafite nacionaliste serbe.

Në njërën nga muret në këtë komunë janë vërejtur shkrime me mbishkrime ekstremiste si “Kur ushtria kthehet në Kosovë”.

Po ashtu në atë pjesë të murit është vendosur data “24.09”, dita kur paramilitarët serbë organizuan sulmin terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Autorët e këtyre shkrimeve nuk dihen, ndërsa Policia e Kosovës po e heton rastin.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se “do të iniciohet kallëzim penal” për rastin.

Të hënë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata në Veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë.

“Situata në Veri është e qetë, por e brishtë për shkak të një qasje destruktive të Beogradit karshi Kosovës, karshi edhe qytetarëve tanë me kombësi serbe”, tha Sveçla në një intervistë për News 24.

Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, Kosova akuzoi Serbinë, derisa krimineli Milan Radojiçiç, mori përgjegjësinë.

Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, dënuan në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kërkuan që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Ndërkaq Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë./Albanianpost.com

Read Previous

Përballja me Luton, Arsenali mund të vendos rekord në Premier League

Read Next

Cili është Projekt-udhëzimi Administrativ për fëmijët që u miratua sot nga Qeveria e Kosovës?