SHBA mirëpret takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel: Themelimi i Asociacionit, kritik për të ardhmen e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me takimin e së martës mes kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiqi të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si një hap të mirë përpara.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

SHBA thotë se ka pasur përparim por mbetet ende punë e vështirë përpara.

“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit mbetet thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, thuhet në njoftim.

Departamenti i Shtetit ka thënë se themelimi i Asociacionit mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend i pavarur dhe sovran.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik, i pavarur dhe i integruar në strukturat euroatlantike”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord të martën se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

/Telegrafi/

Read Previous

Aksident tragjik në Greqi midis dy trenave, 32 të vdekur dhe mbi 85 të lënduar

Read Next

BE po përgatitet për diskutimin e zbatimit të aneksit të planit evropian