Viti 2021 mund të quhet vit i investimeve të mëdha në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë. Kështu ka thënë drejtori i këtij institucioni shëndetësor Hilmi Shala, duke shtuar se po vazhdohet të bëhet renovimi i tërësishëm i emergjencës dhe laboratorit e njëherit edhe ngjyrosja e mureve të brendshme në të gjitha hapësirat e spitalit. Disa prej punimeve janë drejt finalizimit. Se këto investime kanë ndryshuar komplet pamjen e reparteve e tregojnë edhe këto filmime që u realizuan sot përmes kamerës së televizionit Syri.
Disa prej investimeve po financohen nga Ministria e Shëndetësisë por ka edhe prej atyre që po realizohen nga buxheti i spitalit të Gjakovës.
Tutje Shala shtoi se të gjitha investimet dhe renovimet në spital po bëhen me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe ofrimit të kushteve më të mira për një ambient sa më të pastërt e të rehatshëm për të gjithë pacientët që marrin shërbimet mjekësore në këtë institucion shëndetësor.
Menaxhmenti i këtushëm kërkon mirëkuptimin e qytetareve dhe pacientëve për shkak të këtyre punimeve që janë duke u realizuar. Ndërsa vlen të theksohet se përveq kësaj në disa reparte shtretërit e vjetër do të zëvëndësohen me të rinj e poashtu do të bëhet edhe furnizimi me paisje të tjera shëndetsore. Theksojmë se Spitali “Isa Grezda” së fundi është furnizuar me 110 shtretër nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.