Izraeli tha se kishte nisur sulme ndaj armëve që i përkisnin Sirisë, disa orë pas raportimeve se dy predha ishin qëlluar nga Siria në Izrael.
Sulmet izraelite në Sirinë jugore shkaktuan “humbje të konsiderueshme njerëzore dhe materiale”, tha ministria e jashtme e Sirisë, duke shtuar se Izraeli po “përpiqej të destabilizonte rajonin”.
Ndërsa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se e mbante presidentin e përkohshëm sirian Ahmed al-Sharaa përgjegjës për predhat e lëshuara në Izrael, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht bisedimeve të fundit indirekte për të lehtësuar tensionet midis dy vendeve, Izraeli ka shtuar sulmet ndaj objektivave në Siri që kur Sharaa udhëhoqi një ofensivë rebele që përmbysi regjimin e Bashar al-Assad në dhjetor 2024.
“Shpërthime të dhunshme tronditën Sirinë jugore, veçanërisht qytetin e Quneitra dhe rajonin Daraa, pas sulmeve ajrore izraelite”, tha Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut, një grup monitorimi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një deklaratë, ministria e jashtme e Sirisë tha: “Ky përshkallëzim përbën një shkelje të hapur të sovranitetit sirian dhe përkeqëson tensionet në rajon.
“Siria nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë një kërcënim për askënd në rajon”.
Nuk ishte e qartë se sa njerëz u vranë ose u plagosën në sulmet e Izraelit.
Izraeli theksoi se sulmet erdhën pasi dy predha të lëshuara nga Siria ranë në zona të hapura të vendit.
Media izraelite raportoi se sulmet ishin të parat e lëshuara nga Siria që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad. /Telegrafi/