Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas sulmit të rëndë të ndodhur dje në Boulder, Kolorado, duke e cilësuar si një akt të tmerrshëm terrorizmi që “nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gazeta Sinjali.
Në deklaratën e tij, Trump e lidhi incidentin me politikat e administratës së presidentit Joe Biden, duke i quajtur ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për vendin.
“Politika qesharake e kufijve të hapur i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit tonë,” tha ai, duke theksuar se sulmuesi ka hyrë në SHBA për shkak të këtyre politikave.
“Aktet e terrorizmit do të ndiqen penalisht sipas plotë ligjit”, shtoi presidenti, duke e përdorur rastin si shembull për të kërkuar forcimin e kontrolleve kufitare dhe deportimin e “radikalëve të paligjshëm dhe antiamerikanë”.
Sulmi në Boulder është cilësuar si një “akt i dyshuar terrorizmi”. I dyshuari, Mohamed Sabry Soliman, sipas autoriteteve, plagosi tetë persona, ndërsa bërtiste “Palestina e lirë” dhe i vinte zjarrin ndërtesës.