Pse supozojmë më të keqen kur dikush na ngul sytë?

Ndërsa kam punuar për të përqafuar dhe për të qenë i hapur për të gjitha aspektet e njerëzve përreth meje, zbulova një zakon bezdisës që kam për ta menduar veten si një lexues i talentuar mendjesh. Kjo, pavarësisht se kishte një mal provash për të kundërtën. Megjithatë, dukej se mendoja se mund të merrja me mend se çfarë po mendonte dikush apo edhe si është personaliteti i tij brenda tre sekondash nga takimi me ta.

Ky mekanizëm shtesë mbrojtës u bë më i qartë gjatë një vrapi të fundit në mëngjes herët drejt kafenesë sime të preferuar. Ndërsa qëndroja në radhë, vura re një grua para meje që vazhdonte të kthehej dhe të më shikonte. Isha i sigurt se shprehja në fytyrën e saj po zbulonte një lloj përbuzjeje. Pasi kontrollova për të parë nëse kisha ndonjë njollë në rrobat e mia, u përkula te personi me të cilin isha dhe raportova se ky person po më shikonte sikur i kisha ndonjë lekë borxh. Me vete, isha shumë i shqetësuar pse ajo vazhdonte të kthehej dhe të më shikonte.

Pasi pagova dhe duke pritur porosinë time për kafe, vura re që ajo po afrohej tek unë.

“Pashë unazën e gishtit të madh dhe më pëlqeu shumë”, tha ajo. “Unë kam e kam timen prej 20 vitesh”, vazhdoi duke vënë dorën përpara meje.

Ajo më tha se kur u fejua, unaza ishte shumë e madhe për gishtin e saj të unazës, kështu që ajo e vuri në gishtin e madh. Dhe në vend që ta hiqte, vendosi ta mbante aty përgjithmonë. Ajo më tha se i pëlqente unaza ime dhe diskutuam për bizhuteri për disa minuta (edhe pse kjo është një temë për të cilën di shumë pak). Ishte shumë e sjellshme, më komplmentoi dhe më uroi një ditë të mbarë pasi u largua me porosinë e saj.

Kështu që edhe një herë, kuptova (dhe u rikujtova) se unë (dhe askush tjetër), nuk di të lexoj mendje. Ky takim jo vetëm që ma kujtoi këtë, por theksoi dhe faktin që ne kurrë nuk e dimë se çfarë po mendon ose po kalon dikush tjetër. Ndërsa instinkti ynë i parë mund të jetë të mbrohemi duke përdorur mendime negative për një person tjetër (domethënë duke supozuar më të keqen për dikë që të na mbështesë egon) – do ishte më mirë që thjesht të mos gjykonim fare, ose të paktën t’i rikujtonim vetes se ajo që po mendojmë nuk është domosdoshmërisht e vërteta.

Në këtë mënyrë, ne qëndrojmë të hapur dhe do shmangim mbushjen e psikikës sonë me mendime toksike që mund të ndotin pjesën tjetër të ditës.

Edhe nëse dikush po mendon diçka negative për ne, ne nuk duhet t’u përgjigjemi me mendime të njëjta që veç sa na fusin në “rrugë pa krye”. As nuk duhet të mendojmë se cili mund të jetë ai mendim negativ. Në vend të kësaj, duhet që thjesht ta shohim personin, t’i buzëqeshim dhe më pas të shohim larg. Asnjë gjykim. Asnjë mbrojtje. 

Si dikush që është natyrshëm i ndrojtur, e di se t’i ofrosh një të huaji buzëqeshje mund të jetë sfiduese. Por a nuk është kjo një sfidë që ia vlen të merret përsipër? Ne kurrë nuk e dimë se kush po kalon një ditë të keqe ose bota e kujt mund të përmirësohet sadopak nëse një i huaj i buzëqesh. Ata madje mund ta çojnë atë buzëqeshje te një i huaj tjetër. Dhe kështu me radhë.

Për të jetuar lumturisht në këtë botë, nuk ka nevojë për të lexuar mendje. Ndonjëherë, edhe vetëm një buzëqeshje mjafton!

Përshtatur nga shkrimi i Gregg McBride, autor i librit: “Jeta ime si një burrë i shëndoshë dhe si shpëtova dhe ndalova së ngrëni aq shumë”.

Burimi: Psychology Today

Read Previous

Një hile e vogël për të mos bërë shpenzime të kota kur hyni në supermarket

Read Next

Rrahu të fejuarën për shkaqe xhelozie