A mund t’i mbijetojnë bizneset ndalimit të TikTok-ut?

Ndërsa qeveria ecën përpara me legjislacionin që mund të rezultojë në ndalimin e TikTok-ut në të gjithë SHBA-në, ka një shqetësim në rritje për ndikimin që ndalimi i tij mund të ketë tek bizneset.

Projektligji i nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në prill, kërkon nga TikTok-u që të ndahet nga kompania mëmë kineze, ByteDance, e cila thuhet se ndërhyn në të dhënat e përdoruesve.

Por, TikTok-u i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

Me më shumë se 150 milionë përdorues vetëm në SHBA, aplikacioni është bërë një platformë jetike për bizneset, veçanërisht për kompanitë e vogla dhe të mesme, për të nxitur shitjet.

Sipas të dhënave të aplikacionit të publikuara në mars të vitit 2024, më shumë se 7 milionë biznese të vogla amerikane e përdorin platformën.

Siç raportohet, aplikacioni i ka sjellë bizneseve 14.7 miliardë dollarë të ardhura gjatë vitit 2023 dhe ka kontribuar me 24.2 miliardë dollarë në produktin e brendshëm bruto (GDP) të SHBA-së.

Gjithashtu, 69 për qind e bizneseve thanë se platforma kishte çuar në rritjen e shitjeve.

E rëndësia e TikTok-ut për bizneset nuk kufizohet as në SHBA, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Në fillim të këtij viti, platforma raportoi një kontribut prej 4.8 miliardë eurosh (5.1 miliardë dollarë) në GDP-në e disa vendeve evropiane.

Ndërkohë ekspertët kanë paralajmëruar se ndalimi i tij mund të ketë pasoja të mëdha për bizneset amerikane.

“TikTok-u shërben si një kanal i rëndësishëm për marrjen dhe mbajtjen e klientëve dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve”, tha Denish Shah, profesor marketingu në Kolegjin e Biznesit Robinson të Universitetit Shtetëror të Gjeorgjisë.

“Ndalimi i TikTok-ut do të ndikonte në mënyrë katastrofike në biznesin tonë  pasi 90 përqind e shitjeve tona bëhen përmes platformës”, tha Paul Tran, bashkëthemelues i markës së kujdesit të lëkurës Love&Pebble.

Vitet e fundit, Love&Pebble e përdor aplikacionin për shtrirjen e biznesit.

“Ndalimi i TikTok-ut në thelb do të vriste ëndrrën tonë amerikane për të cilën kemi punuar kaq shumë”, tha Tran.

Të shqetësuar për të ardhmen e biznesit të tyre personal janë edhe krijuesit e përmbajtjes dhe influencuesit në platformë.

Por, ekspertët besojnë se ka shpresë.

“Nëse ndodh një ndalim, disa krijues do të shohin një reduktim të përkohshëm të të ardhurave, por besoj se nuk ka gjasa të jetë një çështje afatgjatë”, tha Michael Jaconi, bashkëthemelues dhe CEO i platformës Button.

Ndërsa Shahu shpjegoi se bizneset kanë një shans të mendojnë se si ta trajtojnë ndalimin.

“Lajmi i mirë është se ka kohë të mjaftueshme që kompanitë të kthehen në platforma të tjera”, tha ai.

“Do të ketë pak dhimbje afatshkurtër. Megjithatë, unë mendoj se bizneset mund të menaxhojnë relativisht lehtë migrimin në platforma alternative të videove të shkurtra”,  shtoi Shah.

Kur bëhet fjalë për plane emergjente, Tran tha se kompania e tij potencialisht do të lëviz nga tregu.

“Plani ynë rezervë aktualisht është që të transferojmë markën në Vietnam, ku nuk ka asnjë ndalim të mundshëm”, tha ai.

Por pavarësisht ideve se si të zbusin “dhimbjen” e humbjes së platformës që drejton shumicën e shitjeve të tyre, Tran theksoi se kjo do të ketë një ndikim negativ afatgjatë.

“Ndalimi i TikTok-ut do të shkatërronte kompaninë dhe markën tonë”, tha ai.

Read Previous

​Mbi 1 miliard dollarë humbjet nga sulmet ruse në infrastrukturën energjetike ukrainase

Read Next

​Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut