Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë, ndërsa në njërin prej tyre një grua është kanosur me thikë në Prishtinë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur më 1 dhe 2 nëntor në Prishtinë, Pejë, Klinë, Gjakovë dhe Lipjan.
Në Prishtinë, më 2 nëntor, rreth orës 18:24, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur me thikë një grua.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur tek i dyshuari një thikë dhe 0.36 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Pejë janë raportuar dy raste të ndara më 1 nëntor.
Në rastin e parë, rreth orës 14:00, një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.
Në rastin e dytë, rreth orës 15:55, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Policia nuk ka raportuar për persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Një rast tjetër është regjistruar në Klinë më 2 nëntor, rreth orës 14:45, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë, po atë ditë, rreth orës 16:00, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Lipjan, më 2 nëntor, rreth orës 13:45, dy burra janë arrestuar pasi dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Të gjitha rastet janë evidentuar në raportin e Policisë së Kosovës në kategorinë e dhunës në familje, ndërsa dy rastet në Pejë përfshijnë edhe veprat penale të lëndimit të lehtë trupor, përkatësisht kanosjes. /KosovaPress/