Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësimin për mundësinë e ndërprerjes së eksportit të produkteve të peshkut nga Kosova drejt Malit të Zi, si pasojë e kërkesave të reja që ky shtet po zbaton në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas DHTIK-së, kërkesat e reja përfshijnë produktet e peshkut të freskët, të ftohtë dhe të ngrirë, ndërsa nga 30 qershori 2027 nuk do të lejohet importi i produkteve nga vendet dhe objektet që nuk janë të përfshira në listat përkatëse të autorizuara të Bashkimit Evropian.
Përballë këtij zhvillimi, DHTIK ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës, përfshirë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me qëllim shmangien e pengesave në eksport.
Në përgjigjen e pranuar nga Ministria e Bujqësisë së Kosovës, DHTIK është informuar se AUVK-së i është kërkuar trajtimi me prioritet i kësaj çështjeje, verifikimi i bazës ligjore të kufizimit, komunikimi me autoritetet malazeze dhe identifikimi i kushteve për vazhdimin e eksporteve.
DHTIK vlerëson se veprimi institucional nuk duhet të shtyhet deri në afatin e paralajmëruar.
“Institucionet e Kosovës duhet të mos presin deri në afatin e paralajmëruar, por të fillojnë menjëherë bisedimet me autoritetet malazeze dhe me Komisionin Evropian për të përcaktuar rrugën që duhet ndjekur”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Dhoma është mundësia që kërkesa të ngjashme të ndikojnë në të ardhmen edhe në eksportin drejt Shqipërisë, e cila po përafron legjislacionin dhe standardet me ato të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Në këtë drejtim, DHTIK kërkon nga AUVK-ja një vlerësim të gjendjes aktuale të sistemit të kontrollit veterinar, identifikimin e mangësive eventuale dhe hartimin e një plani konkret me hapa dhe afate për përmbushjen e kërkesave të nevojshme.
Po ashtu, Dhoma kërkon që Kosova të përmbushë kushtet për eksportin e mishit dhe produkteve me origjinë shtazore në Bashkimin Evropian, duke krijuar mundësi më të mëdha për eksportuesit vendorë.
DHTIK i bën thirrje edhe Ministrisë së Tregtisë që këtë çështje ta ngrejë në kuadër të CEFTA-s, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për adresimin e pengesave që mund të ndikojnë në tregtinë rajonale.
“Humbja e tregut malazez, si dhe kufizimi i mundshëm i qasjes në tregun shqiptar, do të ishte një goditje për prodhuesit kosovarë dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik dhe mundësitë për eksport”, thekson DHTIK.
Në përfundim, Dhoma nënvizon se bizneset vendore nuk duhet të humbin tregjet ku tashmë kanë krijuar marrëdhënie tregtare për shkak të vonesave apo mungesës së koordinimit institucional.
“Për këtë arsye, kërkojmë që institucionet përgjegjëse të veprojnë me urgjencë dhe të sigurojnë që prodhuesit kosovarë të kenë mundësinë t’i përmbushin kërkesat e nevojshme dhe të vazhdojnë eksportin e produkteve të tyre”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së. /RTKlive