Britania dhe BE-ja drejt marrëveshjes për lehtësimin e tregtisë pas Brexit-it
Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë formalizuar një marrëveshje të re financiare në vlerë prej 1 milion eurosh, me synim zgjerimin e investimeve dhe programeve për kursimin e energjisë në Kosovë.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, mjetet e ndara do të shërbejnë për mbështetjen e veprimtarisë së Fondit dhe avancimin e objektivave të tij në fushën e efiçiencës së energjisë.
Me këtë ndarje, mbështetja financiare e Qeverisë për Fondin, që nga viti 2019, arrin në gjithsej 10 milionë euro.
“Mbështetja për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka qenë e vazhdueshme, ku që nga viti 2019, Qeveria ka ndarë mjete me vlerë totale 10 milionë euro, me qëllim të mbështetjes së fushëveprimit dhe zgjerimit të masave për efiçiencën e energjisë në mbarë vendin”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Përmes këtyre investimeve synohet përmirësimi i kushteve të banimit dhe zvogëlimi i shpenzimeve për energji, përmes renovimit të shtëpive individuale, ndërtesave shumëbanesore dhe objekteve të institucioneve publike.
Ministria vlerëson se masat e tilla kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare, duke mundësuar banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, si dhe kursime afatgjata në faturat e energjisë.
Përveç përfitimeve për qytetarët, sipas institucionit, investimet në këtë sektor ndihmojnë edhe në zvogëlimin e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbështetjen për programet që synojnë përdorimin më efikas të energjisë.
“Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të mbështesë politikat dhe programet që promovojnë përdorimin efiçientë të energjisë, duke e vendosur mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në qendër të investimeve publike”, thuhet në njoftim. /RTKlive