Prokuroria Themelore në Gjakovë ngre aktakuzë kundër një personi për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.P., i cili dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, transmeton TV Syri Vision.

Ngjarja ka ndodhur më 11 prill të këtij viti, kur i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje me të dëmtuarin P.N., dyshohet se ka shtënë tri herë me armë zjarri në drejtim të tij dhe të A.N., duke e plagosur rëndë të parin. Pas incidentit, i pandehuri është arratisur dhe ka qëndruar në kërkim për rreth tre javë.

Prokuroria njofton se gjatë bastisjes janë gjetur edhe armë të tjera të paautorizuara në posedim të S.P., përfshirë një pistoletë kineze dhe municion, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Më poshtë, gjeni të plotë komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë:


KOMUNIKATË PËR MEDIA

Aktakuzë kundër një personi për veprat penale vrasja e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

Gjakovë, 26 qershor 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit me inicialet S.P., për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nën par.1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’’, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Sipas pikës I të dispozitivit të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri me inicialet S.P., më datë 11.04.2025, rreth orës 13:10 minuta, rr.”B.Q.” në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta, të dëmtuarin P.N., dhe me dashje ka rrezikuar jetën e të dëmtuarit A.N., në atë mënyrë që përderisa të dëmtuarit ndodheshin në lokalin e të pandehurit së bashku me vëllezërit A.N., dhe E.N., duke pirë kafe, pas një mosmarrëveshje të çastit mes të pandehurit S.P., dhe të dëmtuarit P.N., aty ndërhyn dëshmitari A.N., i cili mundohet ta kap të pandehurin ndërsa i dëmtuari A.N., i del para P.N., të dëmtuarit duke parë këtë gjendje futën në dyqanin J.T., i pandehuri repetit armën dhe në një distancë prej 3 metra shtënë tri herë në drejtim të të dëmtuarve, ku dy nga këta plumba e godasin të dëmtuarin P.N., në këmbën e djathtë duke i shkaktuar lëndime të rënda, ndërsa i dëmtuari A.N., i shpëton këtyre të shtënave edhe pse ndodhej pothuajse ngjitur me të dëmtuarin P.N., i pandehuri menjëherë pas kryerjes se veprës me armë në dorë largohet nga vendi i ngjarjes dhe qëndron në arrati rreth tre javë.

Me këto veprime i pandehuri S.P., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nën par.1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri me inicialet S.P., më datë dhe kohën e cekur më lartë, pa autorizim dhe në kundërshtim me nenin 4 par.1 nënpar.1.1 të Ligjit mbi Armët të Republikës së Kosovës, ka poseduar armën e tipit Beretta-Italiane e kal. 9mm, me të cilën ka kryer veprën të përshkruar si në pikën I të dizpozitivit e cila armë nuk është gjetur deri më tani dhe po ashtu gjatë bastisjes të pandehurit janë gjetur në posedim të paautorizuar, pistoleta me nr.serik…., prodhim kinez dhe karikator me 8 copë fishek, brisk me mbishkrimin Gerber, Sprej me mbishkrimin Pepper Jet të cilat janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor.

Me këto veprime i pandehuri S.P., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Me respekt,
Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH
Prokuroria Themelore Gjakovë

Read Previous

Promovohet libri “Kufij të Dridhur” i autorit Arben Rogova

Read Next

Gjykata Kushtetuese: Për 30 ditë duhet të përfundojë seanca konstituive