Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës (PK) njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në Prishtinë, Istog, Deçan, Rahovec dhe Mitrovicë.

Sipas Policisë, në Prishtinë mjë grua ka njoftuar se ka pasur dhunë nga ish-bashkëshorti.

“Prishtinë, 24.08.2024-11:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ka pasur dhunë nga ish bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në Istog, raportohet se është arrestuar një burrë nën dyshimin se nën ndikimin e alkoolit ka ofenduar bashkëshorten.

 “Istog, 23.08.2024-20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka ofenduar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.

Kurse, në Deçan është arrestuar një vajzë nën dyshimin se sulmoi prindërit e saj.

“Deçan, 24.08.2024-10:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta ka sulmuar prindërit e saj. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në Rahovec u arrestua një burrë nën dyshimin se rrahu bashkëshorten dhe i njëjti dorëzoi një armë që posedonte.

Rasti u iniciua si “Dhunë në familje” dhe armëmbajtje pa leje.

“Rahovec, 24.08.2024-13:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon një armë dhe të njëjtën e ka dorëzuar. Arma pistoletë me një karikator pa fishek është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Edhe në Mitrovicë u arrestua një burrë nën dyshimin se rrahu gruan e tij.

“Mitrovicë Jugu, 24.08.2024-03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton Policia. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Policia shqiptoi mbi 1 mijë tiketa trafiku në 24 orët e fundit

Read Next

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët me katër seanca