Përkujtohet rrëfimtari i përrallave shqiptare, Mitrush Kuteli

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot Mitrush Kutelin (emri i lindjes Dhimitër Pasko), shkrimtar, ekonomist, publicist dhe përkthyes (13 shtator 1907-4 maj 1967).

Përveç pseudonimit letrar Mitrush Kuteli, njihet edhe me emra të tjerë arti, si Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas.

Mitrush Kuteli lindi në Pogradec më 13 shtator 1907.

Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1919 dhe po në këtë vit, në kalendarin “Pogradeci”, botoi vjershat e tij të para: “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu”. Më 1921 filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik, ndërsa në vitin 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht, ku njëkohësisht drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi rubrikën “Shënime Letrare”.

U diplomua në vitin 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë, “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit.

Pas një kohe të shkurtër, arriti të bëhej drejtor i Bankës Kombëtare të Rumanisë, ku përkrahu ekonominë vendase.

Në vitet 1924 – 1933, Mitrush Kuteli shkroi dhjetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e rumune rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit dhe të dhjetave.

I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e kreu në kampin e Vloçishtit në Maliq. Do të lirohej nga burgu më 1949, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë.

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi. Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë që karakterizonte atë kohë absurde. Disa prej veprave të tij do të konfiskoheshin dhe do të humbnin përgjithmonë. Mitrush Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967, duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.

Mitrush Kuteli njihet sot si një ndër themeluesit e prozës moderne shqiptare. Ndër veprat e tij më të spikatura janë: “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, “Baltë nga kjo tokë” etj. Gjithashtu, ka përkthyer në shqip vepra të Turgenjevit, Gorkit, Gogolit dhe Nerudës.1 nga 2  

Sime Shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg

Të lutem mos më prit-

Na ndajnë terre rreth e qark

Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd

Me një pafat si unë,

Kur di se emri im u shëmb

Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar

Ndaj jetës së gëzuar.

Dhe më harro këtu, në varr,

Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres

Një udhë fort të gjatë

Dhe një të martë, në mëngjes,

Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim

Po qetësi për jetë:

Pushim… harrim… pushim… pushim…

Në prehjen e vërtetë.

Read Previous

Brazili përballet me përmbytjet më të rënda në 80 vite

Read Next

Balla: Duhet arritur trajtim i duhur financiar për zjarrfikësit