Balla: Duhet arritur trajtim i duhur financiar për zjarrfikësit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Zjarrfikës, u organizua një ceremoni në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie tha se, shërbimi zjarrfikës duhet të arrijë në standardet më të larta, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve.

“Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE, duhet ta transformojë edhe këtë Shërbim, që të jetë si në vendet më të përparuara”, u shpreh ministri.

“4 maji, si Dita e Shërbimit Zjarrfikës, në Shqipëri lidhet edhe me 5 Majin, si Dita e Dëshmorëve, pasi edhe ky shërbim ka të rënë në detyrë”, tha ai.

Ministri vlerësoi kontributin e tyre dhe tha se ndihej krenar për nivelin e përgatitjes pasi kishte ndjekur nga afër verën e kaluar dhjetëra raste ndërhyrjesh për shuarjen e zjarreve, por pranoi se në vite nuk është bërë sa duhet për këtë shërbim, për trajtimin dinjitoz.

“Por kemi filluar të çelim një etapë të re për mënyrën sesi duhet trajtuar ky shërbim, i cili ka hyrë në fazë transformimi të burimeve njerëzore, apo mbështetje me infrastrukturën e duhur me mjete e pajisje, por edhe trajtimin e duhur financiar”, tha Balla.

Në prag të sezonit turistik, e sezonit të zjarreve gjithashtu, që vijnë prej temperaturave të larta në verë, Ministri tha se angazhimi është i plotë, e bashkë me të edhe eksperienca.

“Vitin e kaluar kemi patur më shumë se 500 raste shpëtimi, shumica turistë të huaj që duan të shijojnë në maksimum bukuritë natyrore të Shqipërisë, por që është dashur ndërhyrja për t’i gjetur, shpëtuar, evakuuar e kthyer në shtëpitë e hotelet ku qëndrojnë. E ndërsa numri i turistëve pritet të rritet, natyrshëm do të rritet kërkesa për operacione shpëtimi. Kemi filluar përgatitjet, po bashkëpunojmë edhe me partnerët të tjerë, ku dua të përshëndes Federatën e Alpinizmit. Por shembulli që na vjen nga vendet e tjera është që Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë e na duhet edhe vullnetarizmi. Duhet ta zgjerojmë e të marrim modelet më të mira”, nënvizoi Balla.

Shërbimi zjarrfikës ka aktualisht 1300 forca në 61 bashkitë në vend. Ministri ripërsëriti mesazhin se në këtë shërbim duhen njerëz të përgatitur, e nuk ka vend më për qoka.

“Të jesh punonjës zjarrfikës ka nevojë për shumë cilësi, fizike por edhe profesionale. Ndaj na duhen njerëz të përgatitur se përballen me sfida të vështira”, apeloi Balla.

Të ftuarit ndoqën disa ushtrime të ndërhyrjes, të përgatitura nga trupa e shërbimit zjarrfikës.

Përgjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta dhe të populluara, për të qenë në gatishmëri në raste emergjencash.

Read Previous

Përkujtohet rrëfimtari i përrallave shqiptare, Mitrush Kuteli

Read Next

Dy persona tentuan t’i vënë zjarrin një shkolle në Prishtinë