Nesër varroset akademiku Sylejman Haxhikadria

Në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë akademiku dhe piktori Sylejmon Haxhikadria nga Gjakova.

Profesori Sylejmon Haxhikadria ka lindur në Gjakovë më 20.01.1936, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Shkollën e artit figurativ e kreu në Pejë në vitin shkollor 1959-1960. Ka studiuar Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb, ku diplomoi në vitin 1964.

Gjatë jetës së tij, profesori Sulejmon Haxhikadria ka realizuar një varg ekspozitash personale e kolektive.

Në botën e tij artistike zbulojmë kontrastet e jetës me ngjyra të ndritura e të pasionuara, virgjërinë e natyrës, hapësirën e pakufishme, figurat e portreteve njerëzore, vuajtjet, tronditjet dhe konfliktet e jetës. Në të gjitha punimet e piktorit Haxhikadria vërehet klima autentike e Kosovës si dhe temat e përgjithshme nga jeta dhe natyra. Motivet e tij janë gjurmimi e studimi i psikologjisë njerëzore në pëlhurë. Aty vështrojmë zogjtë psikologjik, portretet si dhe arkitekturën orientale.

Disa nga punimet e tij janë: “Studim”, “Auto portret”, “Plaku dhe drita”, “E pafajshmja”, “Koka e fshatarës”, “Lulet”, “Portreti i femrës”, “Akti i shtrirë”, “Pasojat e fuqisë”, “Arkitektura e vjetër orijentale e Kosovës”, “Natyrë e vdekur”, të cilat bartin thellë në vete porosinë artisitke e humane të njeriut në përgjithësi.

Akademikut iu botuan mbi 100 punime në broshura dhe revista të ndryshme. Disa punime iu shpërblyen e disa të tjera u bënë pronë muzeale në Cetinje, në Tuzëll, në Galerinë e Shkupit, në Gjakovë e në Prishtinë. Ishte laureat i shpërblimit të Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës.

Homazhet për të ndjerin mbahen nesër nga ora 12:00 -13:00, në varrezat e qytetit ku dhe do të mbahet ceremonia mortore.

Read Previous

BE nis një hetim zyrtar kundër TikTok, e akuzon për dështim në mbrojtjen e të miturve

Read Next

E rëndë në QKUK: Humb jetën fëmija 4-vjeçar nga Gjakova, u dërgua me lëndime trupore