Ndahet nga jeta Genc Sherif Lleshi – ikonë, emër i paharruar i sportit në Gjakovë

Me dhimbje të thellë, sportdashësit gjakovarë dhe më gjerë kanë pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Genc Sherif Lleshit, një prej figurave më të respektuara të futbollit vendor, i cili për dekada me radhë kontribuoi me dinjitet, pasion dhe përkushtim të rrallë në fushat e gjelbra të Kosovës.

I lindur në vitin 1954 në Gjakovë, Genci nisi rrugëtimin e tij futbollistik në KF “Gjakova” në moshë të re, duke debutuar për ekipin e parë në vitin 1971. Me një karrierë që zgjati deri në vitin 1984, ai u shqua si sulmues i djathtë i talentuar, i njohur për shpejtësinë, teknikën dhe instinktin e fortë për gol.

Ishte lojtar që e bënte diferencën në fushë, duke fituar respektin e bashkëlojtarëve, kundërshtarëve dhe publikut. Përveç KF “Gjakova”, Genci përfaqësoi me sukses edhe KF “Vëllaznimi” për dy vite, si dhe një sezon KF “Balkani” të Therandës, duke treguar se vlerat e tij ishin të paçmuara kudo që shkeli.

Pas përfundimit të karrierës si lojtar aktiv, ai vazhdoi të qëndrojë pranë futbollit, si trajner i të rinjve, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj të sportistëve.

Genci ishte më shumë se një futbollist, ai ishte një njeri i qetë, i përulur dhe i respektuar, që me punën e tij la gjurmë të pashlyeshme në komunitetin sportiv të Gjakovës. Të gjithë ata që e njohën, e kujtojnë për zemrën e tij të madhe, dashurinë për lojën dhe përkushtimin e palëkundur ndaj klubit dhe qytetit të tij.

Me largimin e Genc Lleshit, futbolli gjakovar humb një nga bijtë e tij më të devotshëm, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithëve që patën fatin ta njohin apo ta shihnin duke luajtur.

Pusho në paqe, legjendë!

Read Previous

Irani thotë se ka testuar një raketë që mund të arrijë në Izrael e papenguar

Read Next

Ambasadori Malaj: Skënderbeu ishte mburojë edhe për Evropën