Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet cenueshme.
Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social në ‘Facebook’, ka thënë se mbi 40 mijë familje janë kualifikuar në grupin e parë.
“40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike💰. Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit”, ka shkruar ai.
Sipas të dhënave të ministrisë, mbi 10 mijë aplikacione s’kanë përmbushur kriterin e të ardhurave për t’u konsideruar si familje e cënueshme.
“Kanë pasur të ardhura që kanë tejkaluar nivelin mesatar prej 150 euro/muaj/anëtar. Këta aplikues do të pranojnë një email që i njofton për refuzimin e aplikimit”.
Ministri ka shtuar se komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online.
“Me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë”.
“Të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike”.
Ndërsa, është thënë se do të ketë edhe një grup të dytë të aplikimeve që do të shqyrtohen, teksa aplikimi do të jetë i hapur deri më 31 janar.
“Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen”.
“Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një email me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta”.
Më 8 shtator, Murati kishte bërë të ditur se si do të aplikohet për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.
Ndërsa, në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë. /Albanianpost.com