Metsola: BE-ja duhet të reformohet përpara zgjerimit

Sipas presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nuk mund të ketë zgjerim të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, pa pasur njëherë një reformim të mirëfilltë brenda vetes.

“Ne e kemi pasur këtë diskutim në Konferencën për Ardhmërinë e Evropës gjatë pesë viteve të fundit, madje edhe para luftës. Për mua, që jam nga Malta, zgjerimi është gjithmonë një projekt i suksesshëm; këtë vit shënon 20 vjetorin”.

Kështu e përshkroi Metsola situatën, sa i takon procesit të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

Megjithatë, sipas saj, BE-ja duhet të reformojë veten nëse do të funksionojë me 32, 33 ose 35 vende – por kërkohet vullnet politik dhe guxim.

Këtë e shtoi Roberta Metsola, teksa foli gjatë një interviste me Corriere della Sera për zgjerimin e BE-së.

Por për të, ky është një proces afatgjatë, që mund ta sjellë BE-në në 35 shtete anëtare, duke përfshirë Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Unë besoj në një projekt që të çon në ndërtim dhe jo në shkatërrim, besoj në shpresë dhe jo në frikë”, vijoi Metsola më tej.

Metsola shpjegon se nuk dëshiron të “spekulojë se çfarë do të ndodhë në qershor”, por premton “të punojë për të pasur një Parlament që mund të funksionojë pas zgjedhjeve sepse është në interes të të gjithë qytetarëve evropianë”.

“Ne jemi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët për të bërë ndryshim në jetën e tyre”, shpjegon politikania malteze, duke nënvizuar se “më e rëndësishmja është të mos harrojmë kurrë parimet tona, vlerat tona” dhe mesazhi që duhet të përcjellim tek të rinjtë është se “ ne të gjithë mund ta bëjmë”.

Ndërkohë që zgjedhjet evropiane po afrojnë.

“Duhet të flasim me të gjithë, përndryshe njerëzit ndihen të distancuar dhe nuk kuptojnë se po bëjmë ligje në favor të qytetarëve: nëse i lëmë pas do t’i humbasim”, shpjegon Metsola. “Sidoqoftë, nuk mjafton të jemi pranë qytetarëve, duhet të jemi të sinqertë me ta: nëse kemi bërë gabime ose nëse nuk kemi bërë mjaftueshëm duhet ta themi, duhet ta bëjmë të qartë se Evropa është e rëndësishme edhe për ta”.

Metsola është e kujdesshme ndërkaq për të ardhmen e saj.

“Duhet të përqendrohem në rizgjedhjen në vendin tim dhe të pyes qytetarët e mi nëse duan të kenë besim tek unë edhe për pesë vjet të tjera, atëherë do të shohim”.

Megjithatë, ajo nuk ia mbyll dyert asnjë opsioni: “Unë e kam stërvitur veten që të mos pres asgjë, por të jem gati për gjithçka dhe nëse mund të jem në shërbim të kolegëve të mi, do ta bëj këtë deri në momentin e fundit të këtij mandati”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kryeministri malazez: Qëndrimin zyrtar të Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE do ta shihni në Këshillin e Ministrave

Read Next

Nxirret trupi i pajetë i kroates që humbi jetën në Majën e Jezercës, ende të bllokuar turistë të tjerë