Mbi një muaj nga hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së, aleatët vazhdojnë të kenë pakënaqësi

Me 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila valutë të vetme përcakton euron, duke ndaluar kështu dinarin, vendim ky i cili shkaktoi pakënaqësi te ndërkombëtarët.

Lidhur me çështjen e dinarit emisari evropian, Miroslav Lajçak ftoi për takim në Bruksel, palën kosovare dhe atë serbe, por që zëvendëskryeministri i Kosovës nuk pranoi që të shkonte në këtë takim, pasi siç pati deklaruar ai një çështje e tillë nuk është në kuadër të dialogut, kështu që u dërguan përfaqësues të BQK-së, derisa Serbia udhëhiqej nga drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq.

Ani pse emisari Lajçak e cilësoi si një hap të rëndësishëm takimin në Bruksel, duke qenë se fillimisht u zhvilluan takime ndaras, e më pas një trepalësh, ai paralajmëroi se janë shumë pikëpyetje dhe duhet të ketë të tjera në vazhdim.

Në anën tjetër nga BQK thanë se në takimin në Bruksel nuk është vënë në diskutim rregullorja e re e këtij institucioni, por që janë ngritur disa shqetësime për ndikimin që ajo mund të ketë tek qytetarët serb, lidhur me mënyrën e transferimit të parave.

Për dinarin, të enjten e 29 shkurtit foli sërish ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i cili qartësoi se vendi i tij nuk po kërkon që Kosova të mbajë dinarin, por nuk janë të kënaqur me mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje të BQK-së.

Sipas Hovenierit çështja e dinarit duhet të diskutohet në dialog, dhe se vendimi i Kosovës ishte i ngutshëm.

“Ne pajtohemi se dialogu nuk është i patjetër i nevojshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës. Por siç kam thënë edhe unë dhe zyrtarët e qeverisë amerikane, ne nuk jemi duke e sfiduar përgjegjësinë e autoritetit të Bankës Qendorre. Ne nuk po tentojmë të mbrojmë dinarin, qeveria e SHBA-së nuk merr pozicion për monedhat që qarkullojnë në Kosovë. Këtë duhet ta vendosin autoritetet në Kosovë. Ne jemi të shqetësuar sepse është çështje për dialog dhe është diçka që ne e kemi shprehur në disa raste dhe besojmë se duhet bisedime brenda dialogut. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si zbatohet rregullorja dhe efekti që ka për komunitetet pakicë”, tha ambasadori të enjten e kaluar në një takim me gazetarë.

Hovenier foli edhe për partneritetin mes Kosovës dhe ShBA-së, ku theksoi se është e qartë që vendi i tij janë të pakënaqur me Qeverinë Kurti.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it, për REL.

Për vendimin për dinarin, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha javën e kaluar se nuk kishte qenë në dijeni për draftimin e kësaj rregullore, dhe ishte Vuçiqi ai që alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhte nga 1 shkurti.

“Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për drafitmin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni ndaj meje filloi, kur Vuçiqi foli. Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë”.

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për rregulloren e re do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj, duke përgatitur edhe një plan 10 pikësh./Reporteri.net/

Read Previous

26 vjetori i Epopesë së UÇK-së, prezantohet logoja zyrtare

Read Next

Dhëndrri përplas me veturë ish vjehrrin