Macron: Franca do të mbrojë terminalin e rëndësishëm të naftës në Arabinë Saudite

Franca do të dërgojë trupa dhe pajisje ushtarake për të mbrojtur terminalin e rëndësishëm të naftës në Yanbu, në Arabinë Saudite, njoftoi sot presidenti francez Emmanuel Macron.

Macron tha se Franca do të dërgojë ushtarë, radarë dhe sisteme mbrojtëse për të siguruar zonën, pas sulmeve të kryera nga rebelët Houthi në Jemen.

Ai theksoi se qëllimi nuk është përfshirja e Francës në luftë, por mbrojtja e këtij objekti strategjik.

Yanbu është një qendër e rëndësishme për magazinimin dhe përpunimin e naftës.

Në këtë zonë ndodhet edhe Tubacioni Lindje-Perëndim, një tubacion nafte mbi 1 200 kilometra i gjatë, me kapacitet deri në 7 milionë fuçi naftë në ditë.

Tubacioni u mbyll përkohësisht në fillim të këtij muaji, si masë sigurie pas sulmeve.

Ai ka marrë rëndësi edhe më të madhe që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, pasi Arabia Saudite po e përdor për të transportuar naftën nëpërmjet rrugëve tokësore, duke shmangur kalimin e tankerëve nga Ngushtica e Hormuzit.

Rebelet Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë shtuar sulmet ndaj Arabisë Saudite në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit në Jemen.

Arabia Saudite mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, e cila është në konflikt me rebelet Houthi prej më shumë se një dekade.

Para luftës me Iranin, Arabia Saudite prodhonte rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë dhe ishte prodhuesja e dytë më e madhe e naftës në botë, pas SHBA-së. /ATSH-DPA/

Read Previous

Irani propozon planin shtatëditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Read Next

Fajde dhe dhunë në familje – tre persona arrestohen në Gjakovë gjatë 24 orëve të fundit