Komisioni për Punë të Jashtme i BE-së të martën voton vlerësimet për progresin e Kosovës rreth anëtarësimit në BE

Në agjendën e publikuar të Parlamentit Evropian për datat 13-19 qershor, të martën lajmërohet se eurodeputetët nën pikën e diskutimit për zgjerim të unionit evropian do të votojnë rreth vlerësimeve për progresin e bërë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë.

Agjenda

Në po të njëjtën ditë të punimeve parlamentare edhe Komisioni për Punë të Jashtme i BE-së do të dëgjojë draft-raportin e Komisionit Evropian nga Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, ku edhe do të pritet miratimi i dokumentit.

Komisioni gjithashtu do të prezentojë raportin rreth Bosnje-Hercegovinës, nga raportuesei Paulo Rangel si dhe raportin rreth Serbisë nga Vladimir Bilçik.

Raporti i kaluar i Progresit kishte theksuar progres të kufizuar të Kosovës në disa aspekte.

Dy faktorët kryesor që përmendeshin në raportin paraprak ishte situata e paqëndrueshme politike për shkak të zgjedhjeve të shpeshta si dhe pandemia me Covid-19.

Mes tjerash në raport ishte bërë thirrje edhe për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”.

Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian. /Albanianpost.com

Read Previous

Pse Severodonetsk është kaq i rëndësishëm?

Read Next

Marcelo i thotë lamtumirë Realit: Largohem si lojtari me më shumë tituj