“Kalaja e Gjirokastrës, thesar i historisë shqiptare”

Kalaja e Gjirokastrës vijon të mbetet siti më i kërkuar nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe që e përfshijnë qytetin e gurtë në itinerarin e tyre.

Kështu, Kalaja e Gjirokastrës ka mirëpritur 53,455 vizitorë vetëm në 5 muajt e parë të vitit.

Shifra u bë publike nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja i cili e cilësoi kalanë si një thesar të historisë shqiptare që vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Kjo kala i ka fillimet e saj në vitin 1336 megjithatë shumë historianë mendojnë se këto mure janë akoma më të hershme.

Në gjithë historinë e saj vlen për t’u theksuar shkëlqimi që pati nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës. Në vitin 1812 filloi rikonstruktimi nga Ali Pashë Tepelena. Gjatë kësaj periudhe kalaja u fortifikua dhe u pajis me armatime të përparuara.

Gjithashtu u ndërtua edhe kulla e sahatit, e cila edhe sot rrëmben vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.

Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, kjo kala u kthye në strehën e shumë banorëve që mbroheshin nga bombardimet ajrore.

Prej vitit 1968 ajo do të bëhej qendra e trashëgimisë folklorike duke u bërë me krenari djepi i Festivalit Folklorik Kombëtar, një festival që mban në këmbë traditën unike të këngës folklorike shqiptare.

Kjo kala është kthyer në një nga pikat kulturore më të frekuentuara nga turistët dhe i lejon qytetit të ketë një sezon turistik përgjatë gjithë vitit. /ATSH/ 

Read Previous

Si po e përjetojnë palestinezët luftën Izrael-Iran?

Read Next

Mbi 37 mijë banorë rezidentë e lëshuan Kosovën më 2024