I mbyll në shtëpi nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj, arrestohet i dyshuari në Gjakovë

Është arrestuar një burrë në Gjakovë, pasi dyshohet se i njëjti po mbante me forcë në shtëpi gruan dhe vëllain e saj dhe po i kanoste me armë zjarri.

Sipas Policisë, vëllai kishte arritur të ikte, por motra kishte mbetur brenda.

“Rasti është raportuar rreth orës 19:25, kur një qytetar ka informuar policinë se ai dhe motra e tij kishin qenë të mbajtur nën kërcënimin e armës, në shtëpinë e të dyshuarit në Gjakovë. Qytetari kishte arritur të ikte, ndërsa motra e tij kishte mbetur brenda, e mbajtur nga i dyshuari, i cili është bashkëshorti i viktimës. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore, përfshirë njësinë e hetimeve dhe NJRSH-në, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të treguar, është arritur që i dyshuari të arrestohet.”, njoftoi PK-ja.

Gjatë ndërhyrjes, dhe kontrollit të realizuar në shtëpinë e të dyshuarit, Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike e cila dyshohet se është përdorur në rast dhe 54 copë fishekë. Në vendngjarje po ashtu është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e dyshuar substancë narkotike.

“Ndërkohë, viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara. Me vendim të prokurorit të shtetit, në koordinim me të cilin janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë ligjore, përderisa i njëjti është ndaluar në mbajtje për procedura të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Read Previous

Vdes aktori kosovar, Lulzim Rexha

Read Next

Për 24 orë shqiptohen mbi 2 mijë e 500 gjoba