Një rast i vrasjes së rëndë kanë ndodhur të martën rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, brenda një familjeje me shtetësi të huaj. Sipas të dhënave nga organet e hetuesisë dyshohet se babai ka privuar nga jeta vajzën rreth moshës 15-vjeçare, derisa vajza tjetër 10 vjeçare ka pësuar lëndime. Lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja, teksa i dyshuari është vetëlënduar.
Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren ka njoftuar se bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar.
“I dyshuari (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, ka njoftuar Prokuroria, raporton Telegrafi.
Aty thuhet se edhe vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
“E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetëlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Në vendin e ngjarjes nga orët e hershme të mëngjesit ka dalë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, i cili bashkë me drejtuesit e Policisë rajonale të Prizrenit dhe me krim teknikën dhe zyrtarët e IML-së, po i zhvillojnë procedurat hetimore.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu ka konfirmuar se bëhet fjalë për shtetas të huaj, që prej gjashtë muajsh kanë jetuar në banesën kolektive në rrugën “Shote Galica” në Prizren.
Sipas tij kryerësi i veprës nuk ka qenë në hetime më parë për ndonjë rast, raporton Telegrafi.
Ngjashëm është shprehur edhe drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Faton Alija, i cili ka theksuar se i dyshuari është aktualisht është nën mbikëqyrjen policore.
Alija për Telegrafin ka theksuar se rasti ka ndodhur në banesë, ku familja në fjalë ka jetuar me qira prej disa muajsh, dhe se ende nuk dihen motivet.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu duke theksuar se “ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht”.
“Në emrin tim personal dhe si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e vajzës së ndjerë dhe solidarizohem me qytetarët që me të drejtë ndjejnë zemërim dhe trishtim përballë këtij akti kriminal. Uroj shërim të shpejtë për vajzën që po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje të vazhdueshme për të kaluar këtë traumë të rëndë”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, dhuna, në çdo formë të saj, është e patolerueshme.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe kanë të drejtën e patjetërsueshme të rriten të sigurt, të dashur dhe të mbrojtur dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë këtë të drejtë themelore. Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë”, është shprehur ajo.
Hetimet lidhur me rastin janë në vijim e sipër. /Telegrafi/