Një rast shqetësues është raportuar të hënën në komunën e Rahovecit, ku janë dëmtuar varrezat ortodokse serbe në rrugën “Mizahir Isma”, nga persona ende të paidentifikuar.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se dje pasdite prifti i kishës ortodokse në Rahovec, Milan Stanojeviq, ka raportuar në Polici se katër varre janë dëmtuar, përkatësisht kryqet e drurit mbi to janë thyer.
Data dhe koha e saktë e veprës nuk janë të njohura, ndërsa patrulla policore dhe ekipi i forenzikës kanë dalë në vendngjarje, ku është kryer vendshikimi dhe dokumentimi i dëmtimeve.
Lidhur me rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurës penale për veprën “Dëmtim i varreve apo kufomave” dhe ka urdhëruar zhvillimin e hetimeve për identifikimin e kryerësve.