Dekada vendimtare e kishës së papërfunduar të Barcelonës

“La Sagrada Familia” në Barcelonë pritet të përfundojë rinovimet e saj në vitin 2034. Planet e integrimit të disa shkallëve kanë ngritur debate të reja, pasi që në rast se nisin punime të tilla do t’i prekin rreth një mijë familje dhe biznese përreth. Por arkitektët ngulmojnë ta çojnë përpara idenë e Antoní Gaudít

Ndërtesa më e famshme e papërfunduar në botë fundin e rinovimeve të saj mund ta presë vetëm deri në vitin 2034, janë zotuar arkitektët.

Esteve Camps, president i organizatës përgjegjëse për realizimin e masterplanit origjinal të Antoní Gaudít, ka thënë se nëse punimet shkojnë sipas planit, deri në vitin 2026 mund të përfundohet kulla qendrore prej 172.5 metrash kushtuar Jezu Krishtit, duke e bërë “Sagrada Familian” objektin më të lartë në Barcelonë. 

Kjo do të shënonte njëqindvjetorin e vdekjes së parakohshme të krijuesit të “Sagrada Familia” në vitin 1926.

Megjithatë, puna në skulptura dhe dekorime të tjera, si dhe një palë shkallë që çojnë në atë që do të ishte hyrja kryesore, pritet të vazhdojnë deri në vitin 2034.

Planet e shkallëve kanë ngjallur kundërshtime nga banorët dhe bizneset pasi nëse do të realizohet, do të përfshinte prishjen e blloqeve të banesave dhe zyrave pranë godinës ekzistuese dhe shpërnguljen e rreth një mijë familjeve dhe bizneseve.

Camps ka thënë se ai ka mbetur i përkushtuar ndaj planeve të zgjerimit pavarësisht kundërshtimeve nga disa banorë.
“Si trashëgimtarët e tyre të Gaudit”, arkitektët planifikonin të vazhdonin me projektin për zgjerimin “ashtu siç synonte Gaudi”, ka thënë ai.

Ka thënë se ishte në bisedime me Jaume Collboni, kryebashkiakun e Barcelonës, për të ardhmen e planeve të këtyre ndërhyrjeve.

“Nuk kam një top kristal për të më thënë se kur ata do të marrin një vendim”,  ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mërkurën e kaluar.

Salvador Barroso, avokat dhe përfaqësues i Shoqatës për të prekurit nga “Sagrada Familia”, një grup lokal protestues, po merr masa ligjore për të ndalur ndërtimin e shkallëve të planifikuara. 

Barroso pretendon se shkallët nuk ishin kurrë në planet origjinale të Gaudit dhe ato u ndërruan nga dishepujt e arkitektit pas vdekjes së tij të parakohshme. Planet origjinale u shkatërruan nga anarkistët në shpërthimin e Luftës Civile Spanjolle më 1936, por u bashkuan me kujdes nga arkitektë të njëpasnjëshëm.

“’Sagrada Familia’ thotë shumë gjëra, por ata nuk e kanë fjalën përfundimtare. Këshilli do të vendosë. Zoti më në fund mund të vendosë jo njerëzit”,  ka thënë ai. 
Këshilli Bashkiak i Barcelonës nuk ka marrë një vendim për ndërhyrjen e planifikuar, ka thënë një zëdhënës për “Euronews Culture”. “Ne po punojmë me përfaqësues të ‘Sagrada Familias’, banorë fqinjë dhe organizata të tjera për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të përfunduar punimet dhe nevojat e qytetit”, ka thënë ai.

Barcelona dëshiron të “garantojë të drejtën për strehim dhe të minimizojë numrin e njerëzve të prekur”, ka shtuar ai. 

Puna në ndërtesë financohet nga biletat që kushtojnë prej 25 deri në 40 euro nga turistët që vizitojnë bazilikën çdo vit.

Vitin e kaluar 4 milionë e 707 mijë turistë e vizituan “Sagrada Familian”, 24,7 për qind më shumë se një vit më parë, por jo aq sa 4 milionë e 717 mijë që erdhën më 2019 para pandemisë.
Numri më i madh i vizitorëve –  85 për qind –  vijnë nga jashtë, me grupin më të madh sipas kombësisë nga Shtetet e Bashkuara (19 për qind prej totalit), ndjekur nga Franca (7.5 për qind) Italia (7.2 për qind) dhe Britania (5.9 për qind). Spanjollët përbënin 14.6 për qind të vizitorëve.

Të ardhurat për vitin 2023 ishin 126.9 milionë euro, të gjitha nga burime private si biletat e vizitorëve. Sa u përket shpenzimeve, 52 për qind e buxhetit shkoi për ndërtimin dhe 26 për qind për menaxhimin e bazilikës.

Se si shpenzohet pjesa tjetër nuk dihet pasi kisha nuk është e detyruar të publikojë llogaritë e saj.
Rreth 51 mijë e 696 njerëz morën pjesë në 66 mesha në “Sagrada Familia” vitin e kaluar, ndërsa 28 mijë e 670 besimtarë shkuan në shërbesat e bazilikës.

Ka pasur përpjekje për “ndërkombëtarizimin” e markës “Sagrada Familia” me një koncert me orkestrën Filharmonike të Berlinit dhe një ekspozitë në një seri muzesh në Japoni./Koha.net/

Marrë nga “EuroNews”. Përktheu: Enis Bytyqi

Read Previous

Policia bavareze heq pantallonat në shenjë proteste

Read Next

Dinamo e kërkon Modriqin nëpërmjet gazetës “Marca”