Biografia e kandidatëve për kryetarë të komunës së Gjakovës

Të dielën me 17 tetor në komunën e Gjakovës, të gjithë qytetarët me të drejtë vote kanë mundësi të zgjedhin njërin nga 6 kandidatët për kryetar të komunës. Secili prej tyre përgjatë 30 ditëve të fushatës kanë shpalosur programin e tyre elektoral duke u përpjekur të përçojnë mesazhe sa më shumë tek votuesit e tyre. Kjo është biografia e kandidatëve për kryetar të Gjakovës:

• FAZLI HOXHA

Fazli Hoxha u lind më 8 maj të vitit 1982 në qytetin e Gjakovës, dhe në këto zgjedhje lokale garon për kryetar të komunës së Gjakovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate.
Edukimin e tij Hoxha e përfundoi Fakultetin e Edukimit, në drejtimin Gjeografi Edukatë Qytetare, ndërsa është Magjistër i Shkencave në Edukim.
Nga viti 1998 – 1999 ishte pjesëtar i UÇK-së, ndërsa pas transformimit të UÇK-së në TMK që nga viti 1999 – 2009 ishte epror, ndërsa nga viti 2009 – 2014 ishte epror në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Nga viti 2015 deri në vitin 2019, ishte ligjërues në kolegjin universitar Biznesi, kurse që nga viti 2014 – 2021, e ushtron pozitën e kryetarit të Nismës Socialdemokrate dega në Gjakovë, dhe njëkohësisht është anëtar i kryesisë së kësaj partie.
Përgjatë periudhës kohore 2017-2019 e kishte pozitën e këshilltarit politik në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa në vitin 2020 ishte Drejtor i Drejtorisë për Punë Inspektuese.
Fazli Hoxha është i martuar, dhe ka katër fëmijë.

• ARDIAN GJINI

Ardian Gjini ka lindur më 18 janar 1970 në Gjakovë, garon për mandatin e dytë për të parin e Gjakovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Që nga dhjetori i vitit 2017 është kryetar i komunës së Gjakovës.
Ai ka qenë deputet i kuvendit të Kosovës për dy mandate dhe kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.
Në legjislaturat e kuvendit ka qenë anëtar i komisionit për Punë të Jashtme dhe atij për Legjislacion.
Ndërsa prej qershorit të vitit 1997 deri në mars të vitit 2001 ka qenë kryetar i degës së Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare në Gjakovë.
Ka shërbyer po ashtu si nënkryetar i komunës së Gjakovës deri në tetor të vitit 2000. Po atë vit është zgjedhur anëtar i asamblesë komunale në Gjakovë dhe Drejtor i departamentit të Teknologjisë Informative.
Gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës ka qenë anëtar i Grupit Politik Strategjik për negociata gjatë negociatave në Vjenë për planin Ahtisari.
Ka qenë poashtu anëtar i komisionit të parë kushtetues.
Ardian Gjini është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga marsi 2002 deri në shtator 2003 ka shërbyer si këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi.
Në dhjetor 2004 është emëruar këshilltar i parë politik i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në mars 2005 është zgjedhur ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës. Në këtë post ka shërbyer deri në dhjetor të vitit 2007.
Aktualisht është nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetar i degës së kësaj partie në Gjakovë.
Mban titullin Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Europiane nga Universiteti i Kentit në Canterbury.
Ardian Gjini është i martuar, ka dy vajza dhe një djalë, dhe jeton në Gjakovë.

• FERDINAND KOLAJ

Ferdinand Kolaj ka lindur në Gjakovë me 21.06.1981. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Fan Noli” në Dujakë.
Shkollimin e mesëm e përfundoi në SHMM “Hysni Zajmi” në Gjakovë në drejtimin e teknikut Medicional, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në degën e Fakultetit Ekonomik.
Kolaj e ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik nga dhjetori i vitit 2017 deri në Gusht të vitit 2021.
Kolaj ishte edhe kryesues i shtabit emergjent në komunën e Gjakovës gjatë periudhës së pandemisë  nga marsi i vitit 2019 deri në shtatorin e vitit 2020.
Ndërsa pozitën e Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Gjakovës e ushtroi nga muaji tetor i vitit 2019 deri në tetor të vitit 2020.
Aktualisht është kryetar i PSHDK-së në Gjakovë.
Ferdinand Kolaj është i martuar dhe jeton në Gjakovë.


• MIMOZA KUSARI LILA
:
Mimoza Kusari Lila u lind me 16 tetor 1975 në Gjakovë dhe në zgjedhjet e 17 tetorit garon si kandidate për komunën e Gjakovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kusari Lila shkollimin e saj e filloi në Universitetin e Prishtinës , kurse studimet në nivelin master i vazhdoi dhe i përfundoi në SHBA, konkretisht në Duqense University ne fushën e Administrim Biznesi.
Para se të fillojë karrierën e saj në politikë, Kusari Lila që nga viti 2006 e deri në vitin 2009 ishte udhëheqëse e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ndërsa për herë te parë u zgjodh deputete e kuvendit të Kosovës në legjislaturën e 6-të, për t’u rizgjedhur sërish në legjislaturën e 7-të, dhe të 8-të ku në këtë të fundit ka qenë Shefe e Grupit Parlametar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e vitit 2010, Kusari Lila ishte gruaja më e votuar në Kosovë, dhe që nga viti 2011 e deri në 2013 drejtoi Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, ku nga dhjetori i vitit 2013 deri në vitin 2017 ajo arriti të zgjedhej kryetare e komunës së Gjakovës, duke u bërë kështu gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.
Për gjatë legjistaurave dhe postit të saj si deputete Kusari Lila është angazhuar në politikat për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave dhe ngitjen e përfaqësimit të tyre në vendimarrje.
Mimoza Kusari Lila është e martuar, dhe është nënë e dy fëmijëve.

• TEKI SHALA

Teki Shala u lind me 15 maj 1966, në fshatin Rogovë të komunës së Gjakovës.
Shkollimin fillor e përfundoi në vendlindje gjatë viteve 1973 – 1981, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Rogovë dhe Rahovec.
Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik në UP, kurse titullin magjistër e mori pas diplomimit në drejtimin e Ekonomisë në vitin 2012.
Ndërsa në janar të këtij viti ka mbrojtur tezën e doktoraturës në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Tiranë.
Si mësimdhënës ka punuar në Gjimnazin “Hajdar Dushi” nga viti 1991 deri në vitin 2001, ndërsa nga viti 2001 ka qenë i angazhuar në pozitën e Drejtorit për Buxhet dhe Financa ne KK të Gjakovës.
Shala ka punuar në UNMIK, shtylla IV, në pozitën e Këshilltarit në menaxhimin e financave në MEF.
Ndërsa angazhimi i tij në fushën e ekonimisë ka vazhduar në NDI, në pozitën e Këshilltarit në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës për gjatë viteve 2008 – 2011, kurse të njëjtën pozitë e ushtroi edhe përgjatë viteve 2011-2014 ne GTZ-GIZ, për të kaluar më pas në pozitën e Drejtorit Për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës nga viti 2014-2017.
Kurse nga viti 2020-2021 është emëruar në pozitën e Drejtorit në Bordin e Përkohshëm të Telekomit të Kosovës nga Qeveria e Kosovës.
Teki Shala është i martuar dhe ka tre fëmijë.

• ARBËNESHA KUQI

Arbënesha Kuqi, e lindur në Gjakovë, me profesion është ekonomiste, në fushën e menaxhimit dhe marketingut, në zgjedhjet lokale garon për pozitën e të parës së komunës së Gjakovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kuqi ka përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë, duke e ushtuar më pas profesionin e Mamisë Instrumentare në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, duke e vazhduar njëkohësisht shkollimin me fushën e menaxhimit.
Pas luftës Kuqi ishte pjesë e “Medica Mondiale Kosova” kështu duke qenë afër qytetarëve në rrethanat më të vështira, dhe kështu ajo fitoi guximin për të ngritur zërin për drejtësi.
Kuqi e cila aktualisht punon në pozitën e  menaxheres në industrinë e sigurimeve, pozitë kjo që e e ka ndihmuar atë të ketë një profil më të përmbushur dhe më të përshtatshëm për komunitetin.
Si karakter Kuqin e karakterizon vullneti, guximi, karizma dhe energjia për të punuar për gjëra të dobishme.
Arbënesha Kuqi është e martuar, dhe ka dy fëmijë.

Read Previous

Promovohet libri “Shqipnija e vërtetë në programin e klasës politike të shek. XXI”

Read Next

Prokuroria Themelore dhe Policia e Kosovës do të jenë në krye të detyrës për zgjedhjet lokale