Vendimi i pritshëm nga Komisioni Evropian që të mbështesë zyrtarisht mbylljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në vitin 2027 është mirëpritur nga presidenca irlandeze.
“Nga këndvështrimi i Presidencës irlandeze, fokusi ynë është puna intensive në drejtim të bashkëpunimit me Shqipërinë për mbylljen e kapitujve të negociatave. Pastaj ka edhe shtete të tjera kandidate dhe potenciale, që ndodhen në situata të ndryshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën që na është caktuar, sepse aktualisht ka shumë punë për të bërë dhe mund të arrijmë shumë”, tha ministri për Evropën i Irlandës, Thomas Byrne.
Afatet kohore për mbylljen e negociatave dhe për anëtarësimin e plotë në BE të Shqipërisë janë përmendur prej kohësh nga qeveria shqiptare por me 30 shtator ato do të perfshihen zyrtarisht në udhërrëfyesit e zgjerimit të BE-së.
Në mesin e muajit tetor mund të ketë zhvillime të tjera në Bruksel për mbylljen e kapitullit të 20-të që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla ato të mesme dhe zhvillimin e industrisë si pjesë e Grupkapitullit 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.
Më 14 Korrik u mbyllën tre kapituj negociues, ato për Shkencën e Kërkimin shkencor, Arsimin e Kulturën si dhe për Marrëdhëniet me Jashtë.
Objektivi i qeverisë shqiptare është anëtarësimi i vendit në familjen evropiane brenda vitit 2030. /tvklan.al