Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, “njohja e ndërsjellë është zgjidhja e vetme që garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.
Këto komente, Ahmeti i ka bërë gjatë takimit që ka pasur në rezidencën franceze, ku ka qenë i ftuar për darkë pune me Rene Troccaz, ambasador dhe i Dërguar Special për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, Cyrille Baumgartner, ambasador i Francës në Maqedoni të Veriut, Bernard Valero, ish ambasador i mëhershëm i Francës në Maqedoni dhe Mathie Abgrall, nga Misioni i Evropës Ballkanike, në kuadër të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Siç ka njoftuar Ahmeti përmes një postimi në Facebook, përgjatë gati tre orëve diskutimeve me diplomatët francezë kanë shtjelluar zhvillimet politike në Maqedoni të Veriut dhe rajon duke u përqendruar kryesisht mbi ndryshimet kushtetuese dhe integrimin evropian, zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Pa ndryshimet kushtetuese, rruga jonë evropiane është e bllokuar. Pengesa e miratimit të amendamenteve kushtetuese është bllokim i qëllimshëm i integrimit tonë evropian”, shkroi Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka theksuar se qytetarët e Maqedonisë së Veriut “s’kanë kohë për kalkulime për përfitime partiake në kurriz të së ardhmes së tyre evropiane”. /Albanianpost.com